Çka po kërkon opozita nga pushteti pas tensioneve në veri?
Partitë politike opozitare janë shprehur të shqetësuar me situatën në veri, ku grupe të organizuara kanë sulmuar dje zyrat e KKZ-në në Veri të Mitrovicës dhe Zubin Potok.
Ato kanë ftuar Qeverinë e Kosovës që të bëj kujdes me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të vendit.
Zyrtarët e këtyre partive kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që për këtë çështje të koordinohen me ndërkombëtarët.
Nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë për gazetën Nacionale se mbajtja e zgjedhjeve në këtë situatë është e rrezikshme.
“Zhvillimi i zgjedhjeve në veri të vendit në këtë situatë, është i nxituar dhe i rrezikshëm. Përpjekjet e Qeverisë që me çdo kusht të mbahen zgjedhjet atje, pa koordinim me faktorin ndërkombëtar, janë të pamatura dhe mund të prodhojë situata të rrezikshme”, ka thënë Lekaj.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në veri të vendit, duke kërkuar nga institucionet e rendit të identifikojnë autorët e sulmeve dhe të vihen para drejtësisë.
Sipas kësaj partia, ushtrimi i sovranitetit në atë pjesë duhet të bëhet në koordinim me partnerët perëndimor.
“LDK-ja vlerëson se në këto momente është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, të koordinojnë të gjitha veprimet me partnerët tanë me qëllim të ofrimit të sigurisë për gjithë qytetarët e vendit dhe institucionet e pavarura. Qetësia, siguria dhe ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e vendit nuk kanë alternativë. LDK-ja kërkon nga Qeveria qartësi dhe plan konkret për gjendjen në veri”, është thënë në njoftimin për media të LDK-së.
Kurse, ish-anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Betim Gjoshi, ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të 18 dhjetorit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kërkesa për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve është e presidenti serb, të cilën duhet ta refuzojnë institucionet e Kosovës.
“Shtyrja e zgjedhjeve në katër komunat veriore është kërkesë e Aleksandër Vuçiqit dhe Listës Serbe. Këtë kërkesë të tyre nuk duhet ta çojnë në vend Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Xhelal Sveçla. Kryeministri, Presidentja dhe Ministri i Brendshëm nuk po arrijnë të zbatojnë Kushtetutën e Kosovës për të siguruar ambient për zgjedhje. Fafkeqësisht, dështimi i tyre është me pasoja të mëdha për Republikën e Kosovës. Kryeministri, Presidentja dhe Ministri i Brendshëm duhet të japin përgjigje dhe përgjegjësi se përse nuk po kalon shteti i Kosovës në veri të Republikës së Kosovës?”, ka shkruar Gjoshi.
SHBA-ja thotë se në veri nuk ka kushte për zgjedhje
Pas sulmeve me bomba dhe të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur dje në zyrat e KKZ-vë në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Në një postim në llogarinë e tij në “Tëitter”, ai ka shkruar sigurua e qytetarëve duhet të jetë prioritet.
“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, ka shkruar ambasadori amerikan, duke dënuar aktet e dhunës.
Ndërsa, institucionet e Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë qëndrim të qartë rreth mundësisë së mbajtjes se zgjedhje.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka bërë me dije se janë në pritje të vlerësimit nga institucionet e sigurisë në pjesën veriore, për të përcaktuar hapat e mëtutjeshëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmëri për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve.
“Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, ka shkruar Kryeziu.
DnV kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri
Rrjeti i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”(DnV) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të shtyhet mbajtja e zgjedhjeve në veri.
Përmes një komunikate për medie, DnV ka vlerësuar se insistimi i mbajtjes së zgjedhjeve në veri në këto rrethana është i pakuptim.
“DnV rikujton që ndër parimet kryesore të zgjedhjeve është ‘votimi i lirë’. Zhvillimi i të gjitha procedurave nën forca të shumta të sigurisë, si dhe nën kërcënim direkt të jetës së zyrtarëve zgjedhor, por edhe qytetarëve dhe kandidatëve, bie ndesh me këtë parim. Kësisoj, është e qartë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka pothuajse të pamundur që të realizojë operacionet përkatëse zgjedhore për mbajtjen e rregullt dhe normale të këtyre zgjedhjeve. Madje, KQZ-ja e ka pasur të pamundur që një gjë të tillë t’a bëjë edhe me asistencën e Policisë. Bazuar në këtë situatë, është vështirë e besueshme që do të mund të garantohet siguri në këto komuna për qindra persona të angazhuar si staf zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, si dhe mijëra qytetarë me të drejtë vote. Për më tepër, probleme mund të ketë edhe me hapjen e vet qendrave të votimit”, është thënë në njoftimin e DnV-së.
Sipas këtij rrjeti të organizatave joqeveritare, Presidenca e Kosovës duhet të nisë konsultimet për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave veriore.
“Në rrethanat aktuale të mungesës së sigurisë për stafin zgjedhor, mungesën e kandidatëve të komunitetit serb në garë, si dhe gjasave të pakta për pjesëmarrje të qytetarëve në zgjedhje, DnV kërkon nga Presidentja e vendit që të iniciojë konsultimet me akterët relevantë për të shtyrë zgjedhjet në katër komunat veriore”, është thënë në njoftim.
Përpjekja e djeshme e zyrtarëve të Komisioni Qendror Zgjedhor për të shkuar në zyrat e tyre në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut për të nisur përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të këtyre komunave veriore, ka nxitur reagime të ashpra në terren.
Me zbarkimin e këtyre zyrtarëve në veri për të ushtruar mandatin e tyre ligjor, janë lëshuar sirenat nga strukturat paralele dhe më pas kanë filluar sulmet me bomba dhe të shtënat me armë zjarri në ajër, duke dëmtuar zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore(KKZ) në këto dy komuna.

