Opozita kundër projektligjit për caktim të çmimeve për produktet bazë: Falimenton bizneset e vogla
Subjektet politike opozitare e kanë kundërshtuar Projektligjin për masat e përkohshme për produktet esenciale.
Në seancën e sotme parlamentare, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-kanë akuzuar Qeverinë se përmes këtij projektligji po synojnë kontrollimi i tregtisë me produktet bazë në kohë krizash.
Sipas tyre, efekti i projektligjit do të jetë çrregullim masiv i ofertës, e cila do të rrezikon falimentimit të tregtarëve të vegjël dhe të mesëm.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria po merret me gjetjen e fajtorëve imagjinarë.
“Nuk kisha besu që në Republikën e Kosovës do të diskutohej ndonjëherë. Me këtë projektligj po vazhdon kjo qeveri që tendencën me paraqit krizën me rritjen e çmimeve, që po shkaktohet nga disa abuzues të çmimeve. Kryesisht imagjinarë, e jo nga forcat e tregut. Ky është preteksti që qeveria i ka ikur përgjegjësisë. Nuk kanë paraqit asnjë evidencë që tregon se rritja e çmimeve po shkaktohet nga abuzuesit. Pikërisht kjo ministre që ka thënë se e kemi gjetur fajtorin, fajtor janë minimarketet. Këta të voglit të lagjeve. I shpalli armiq”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, ky projektligj dëmton rëndë bizneset e vogla dhe të mesme.
“E pasni bo një ligj me i mbyllë këto minimarkete, e tregtarë të vegjël nëpër Kosovë. Shqetësues jashtëzakonisht që qeveria si mjet primar për krizë i konsideron intervenimet në treg. Ekonominë e lirë me këtë ligj po doni me e thy. Nuk e di qysh e arsyetoni një gjë të tillë, as për një javë nuk mundeni, e lëre më pa afat”, është shprehur Krasniqi.
Kritik ndaj qeverisë ka qenë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Para deputetëve, ai ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati duhet të shkarkohet.
"Ministri i Financave, paramendojeni ministër i Financave, tha një produkt që vjen në kufi me 1 euro e 20 cent dhe shitet 2.20 në start i ka fitim 1 euro. Këtij ministri duhet t’ia japësh dokumentet edhe ta çosh në shtëpi. Një shtëpi e pa ditur”, ka thënë ai, duke thënë se projektligji do të jetë i dëmshëm i për ekonominë.
“Me këtë ligj sa për llogaritje do t’i dëmtoni mijëra dyqane të vogla nëpër fshatra që 90 për qind të produkteve i kanë bazike. Ata keni me i marrë në qafë. Kemi praktikantë në Qeveri ky është problemi i Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.
Kurse, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri e ka pyetur pushtetin nëse janë në mend, pasi askund shteti nuk përcakton çmime.
“Ky ligj do të krijojë mungesë të produkteve, për shkak se intervenimi i shtetit në rregullat e tregut i shtynë ata që kanë produkte, të mos gjenden në supermarkete apo vende ku shiten. Efekti i parë dhe kryesor bie ndesh me nenin 2. A jeni more në mend. Ku e përcakton qeveria marzhën me caktu çmime”, ka deklaruar Tahiri, duke shprehur dyshime nëse kryeministri e ka lexuar këtë projektligj.
“Do të doja përgjigje nga kryeministri. Jam i bindur se a e kanë lexuar këtë ligj, apo ka ndikuar shumë dialogu që mos me e pa. Nëse e kanë pa këta dy, ky është ligj skandaloz. Bie ndesh me primet kushtetuese, me parimet e tregut të lirë, bie ndesh me secilën dispozitë të nëntë neneve”, është shprehur Tahiri.
Çka parasheh projektligji?
Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila në Kuvendin e Kosovës ka propozuar masat e përkohshme për produktet bazike në treg, e ka lavdëruar projektligjin.
Ajo ka treguar për produktet të cilat prittë të iu vendoset shkrimin.
“Drithërat, mielli, buka, orizi, vaji ushqimor, qumështi, kripa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri si dhe produktet higjienikë, janë vetëm disa nga produktet që pritët t’u vendoset çmimi tavan, nëse ky projektligj aprovohet në Kuvend”, ka thënë ajo.
Projektligji për masat e përkoshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike, ka për qëllim që të rregullojë masat mbrojtës të të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët në kohë të krizave ekonomike dhe mënyrën e zbatimit të tyre.
Produkte themelore, sipas këtij projektligji, janë; drithërat, mielli gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, krypa e kuzhinës, vezët e pulës, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale, druri për djegie dhe produktet e tjera themelore të konsumit për jetesë, të përcaktuara me vendim të Qeverisë.
Masat mbrojtëse që parashihen me Nenin 5 i këtij Projektligji ndër më të rëndësishmet janë, caktimi i çmimit maksimal dhe caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë.
Disa prej masat mbrojtëse për furnizimin me produkte themelore janë: 1.1. kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar; 1.2. ndalimi i largimit nga shitja e produktit; 1.3. caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë; 1.4. caktimi i çmimit maksimal i lejuar; 1.5. detyrimi i operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit;
1.6. detyrimi i operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produktet themelore si para caktimit të masave mbrojtëse; 1.7. ndalimi, kufizimi i eksportit; 1.8. masat e tjera të përcaktuara me vendim të Qeverisë, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.
Pas përfundimit të debatit, Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta votuar Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Opozita nuk mori pjesë në votim, ndërsa mungonin edhe disa deputet të pushtetit.

