Opozita kritikon Projektligjin për Buxhetin: Qeveria nuk ka paraparë projekte madhore - NACIONALE

Opozita kritikon Projektligjin për Buxhetin: Qeveria nuk ka paraparë projekte madhore

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për Projektbuxhetin e vitit 2024, i cili po shqyrtohet sot në Kuvendin e Kosovës.

Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së kanë bërë me dije se nuk do ta përkrahin këtë dokument, duke thënë se i njëjti nuk paraqet interesat e qytetarëve të Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka thënë se ky projektligj ka shumë mangësi.

Lirisht mund të themi se buxheti për vitin 24 nuk paraqet kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve, bizneseve, por as të organizatave buxhetore. Si i tillë duket më i madh në shifër, por në një situatë krize, jo vetëm ekonomike, por edhe të mungesës së lidershipit ku gjithçka është më e shtrenjtë, i lenë më të varfër qytetarët e Kosovës. Pra, sot po mbahet një nder seancat më të rëndësishme të vitit, duke qenë se ligji i buxhetit ka rëndësie të veçantë padyshim në ndikimin e jetës së qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë Lushtaku.

Në adresimin e tij, ai ka deklaruar se në buxhet nuk parashihet asnjë projekt madhor.

Keni planifikuar rreth 10 miliardë euro shpenzime, prej të cilave nuk rrjedh asnjë projekt i rëndësishme, asnjë projekt madhor më të cilin mund të krenohemi qytetarët e vendit tonë”, është shprehur ai.

Kritika ka shprehur edhe ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Para deputetëve, ai ka thënë se mungesa e investimeve kapitale dhe rritja e subvencioneve janë disa arsye pse nuk ka rritje reale ekonomike.

Ka ndërruar struktura e buxhetit është përkeqësuar struktuar e buxhetit, investimet kapitale kane rënë ndërsa subvencionet janë rrit kjo është arsyeja pse nuk shohim rritje reale ekonomike.”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka përmendur disa zotime të Qeverisë Kurti që sipas tij, duke parë këto zotime mund të analizohet buxheti.

Është buxheti i fundit që kjo mazhorancë e sjell në Kuvend dhe duhet të gjykohet përmes zotimeve. Gjatë këtij mandati, kjo mazhorancë ka pasur 11.4 miliardë euro për të shpenzuar. Deri më tani, janë shpenzuar 8.1 miliardë euro. Efekte konkrete janë të pavërejtshme. Është përkeqësuar struktura e buxhetit. Nëse e krahasoni vitin 2017 me tash, investimet kapitale kanë rënë. U patën zotuar që të ndërtohen 160 çerdhe – pesë çerdhe janë ndërtuar. Banimi social nuk ka filluar. Sigurimet shëndetësore nuk kanë nisur. Privatizimi vazhdon valë-valë. Fondi Sovran iu garantojë që do t’ju shkaktojë probleme të mëdha ekonomike”, është shprehur.

Kurse, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria ka nënçmuar disa kategori.

Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që po iu bëhet disa kategorive, në veçanti Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga Qeveria, nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuar me ligjin në fuqi”, ka thënë Haradinaj.

Më tej, në adresimin e tij, ai ka përmendur edhe mungesën e investimeve kapitale.

Investimet kapitale të shtuar vetëm për 48 milionë nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik. Praktikisht, janë stagnim kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve ta parapara për vitin 2023 nuk janë realizuar, por barten në vitin buxhetor 2024. Ndërsa, mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuar në buxhetin që po e shqyrtojmë sot janë projekte të parealizuar në tri vite të fundit dhe të bartura për vitin 2024”, ka thënë Haradinaj.

Lajme të ngjashme