Opozita kritikon Kurtin: Po rrezikon jetët e njerëzve, kemi rënë në grackën e Serbisë
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë kritikuar kryeministrin Albin Kurti për refuzimin e kërkesave të partnerëve ndërkombëtar rreth targave. Zyrtarët e këtyre partive politike kanë thënë se kjo çështje teknike po rrezikon destabilizimin e situatës në veri të vendit.
Partitë opozitare janë shprehur të shqetësuar me sjelljen e kryeministrit ndaj gjendjes në veri të vendit.
Përfaqësuesit subjekteve opozitare kanë akuzuar kryeministrin Albin Kurti se me veprimet e tij, duke mos u koordinuar me aleatët, po e sjell situatën në veri në prag të shpërthimit.
Ata kanë vlerësuar se arroganca e Kurtit në këtë proces ka bërë që Kosova në sytë e partnerëve të shihet si palë destruktive në dialog.
Më i ashpri në këtë drejtim ka qenë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Sipas tij, Kurt po e rrezikon jetën e qytetarëve të policëve në veri të vendit.
“Sjellja dhe veprimet e Kryeministrit të Kosovës, në raport me situatën e krijuar në vend, gjatë gjithë këtyre ditëve, ka qenë jo vetëm e pakuptueshme por edhe e rrezikshme. Mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat, e ka sjellë situatën buzë shpërthimit. Kemi ardhë në një situatë që do të mund të rrezikonim jetët e qytetarëve të Kosovës por edhe të policëve”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka thënë se qasja e Kurtit po e dëmton rendë shtetin e Kosovës.
“E gjithë kjo, për arsye krejt të paqëndrueshme, për ta kthyer situatën e para një muaji, ku kursi i gabuar që kishte zgjedhur Kryeministri, ka shkaktuar dëme të mëdha, duke asgjësuar një punë të jashtëzakonshme që ishte bërë gjatë gjithë këtyre viteve për integrimin e serbëve në institucionet ë vendit. E kuptoj sjelljen e plot kundërshtarëve politikë të Kryeministrit që i gëzohen fundosjes politike të tij, por unë jam i shqetësuar, jo për dështimin e Kryeministrit, por për dështimin e të gjithë neve si Kosovë. Jam tejet i shqetësuar me faktin se sot në sytë e BE dhe të SHBA, Kosova nga viktimë është shndërruar në fajtor për situatën e krijuar, ndërsa Serbia është shndërruar në partner konstruktiv”, ka shkruar Haradinaj, duke shtuar se fajtori i vetëm për gjendjen e krijuar në veri është Albin Kurti.
“Dhe në fund, Kurti arriti të dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës demokratike, multietnike, të përgjegjshme dhe që merr vendime të bashkërenduara me partnerët ndërkombëtarë duke e kthyer nga kontribues të stabilitetit në rajon, në element destabilizues. Gjendja është kjo që është. Albin Kurti sot e ka vetëm një rrugë, që është bashkëpunimi i ngushtë e pa kushte me partnerët tanë, posaçërisht me SHBA”, është shprehur ai.
Ndërsa, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka degraduar procesin e dialogut.
Sipas saj, nga bisedimet për njohje reciproke në dialog po flitë për çështjen e targave.
“Degradim total i procesit: Nga bisedimet për njohje reciproke, po flasim me urgjence për targa. Sukses se jo mahi”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe anëtarësi i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se Kurti e ka degraduar procesin e dialogut.
Sipas tij, në këtë mënyrë Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.
“Kosova duhet të punojë edhe me SHBA-të edhe me BE-në. Të koordinohet me ta dhe t’i bindë për drejtësinë e kërkesës për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë me njohje reciproke në thelb të marrëveshjes. Qeveria e Kosovës nën drejtimin e kryeministrit Kurti e ka degraduar dialogun. E ka kthyer në dialog për çështje teknike. Madje të targave. Pa e ditur, ka rënë në grackën e Serbisë, që, edhe ashtu, do ta zvarrisë dialogun”, ka shkruar ia në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka kritikuar qasjen e Qeverisë Kurti.
“Kjo kastë politike e Kosovës, tash në pushtet, s’e donte Administratën amerikane në kohën e Trumpit. Tash kjo s’e ka për qejfi as administratën e Bidenit. Dukej se parapëlqente rol vendimtar të BE-së në punët e dialogut të Kosovës me Serbinë. Tash as BE-ja s’u pëlqeka”, ka shkruar Hamiti.
Ndërsa, sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se nuk është koha për rrahagjoks. “Serbia e cila është fajtore për situatën e krijuar në veri të Kosovës po luan perfekt rolin e viktimes, ndërkaq Kosova që është viktima reale e këtij konteksti rrezikon të mbahet përgjegjëse për kaosin e krijuar në veri për shkak të logjikës së rrahagjoksit të qeverisë së saj!”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.
Kurti dhe Osmani drejtojnë gishtin kah Borrelli
Kryeministri Albn Kurti, pas takimit të gjatë me presidentin serb në Bruksel, ka kritikuar kryediplomatin e BE-së, Josep Borell, për qasjen që po e ndjek si ndërmjetësues i procesit.
Sipas tij, kryediplomati ka hequr dorë nga misioni për të arritur marrëveshjen finale në mes të dy vendeve.
Shefi i ekzekutivit edhe gjatë ditës së martë ka vazhduar kritikat ndaj BE-së, duke thënë se duhet të bëhet korrigjimi i gabimit të kryediplomatit të BE-së, Josep Borell.
“Ne jemi optimist dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrellit është i domosdoshëm. Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve, e liderët, unë si kryeministër i Kosovës dhe Vuçiq si president i Serbsië, të flasin e dakordohen për targa, për të cilat dorën në zemër as unë në Kosovë e as ai në Beograd nuk jemi personat përgjegjës”, ka thënë Kurti për gazetarë gjatë një vizite të martën në Prizren.
Pas Kurtit, Borrellin e ka kritikuar edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
“Rregulli i parë i secilit proces ndërmjetësues është paanshmëria. Ajo që pamë sot nga z. Borrell ishte njëanshmëri e shpërfaqur haptazi, akomodim i agresorit dhe prezantim i një realiteti tërësisht të shtrembëruar. Sikur Borrell t’i respektonte parimet bazike të neutralitetit, do t’ia përmendte Serbisë, së paku disa nga këto marrëveshje të shkelura të Brukselit, në vend se ta akuzonte Kosovën”, ka shkruar Osmani, duke përmendur shkeljet që Serbia ka bërë në procesin e dialogut të Brukselit.
Pavarësisht kritikave të Kurtit dhe Osmanit për shefin e diplomacisë evropiane, shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-të i kanë dhënë mbështetje Borrellit.
Gjatë ditës, të gjithë partnerët perëndimor i kanë bërë thirrje Kurtit që të reflektoj dhe ta pranojë propozimin e Borrelit për çështjen e targave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë në orët e vona ka njoftuar se ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për targat ilegale.
Këtë veprim qeveria e ka ndërmarr pas kërkesës se ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.




