Ambasadori i Francës i kërkon Kurtit të pranojë propozimin e Borrellit
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me targat dhe diskutimeve në Bruksel.
Guerot ka kërkuar nga qeveria ta pranojë propozimin e kryediplomatit evropian, Joseph Borrell.
“Franca shpreh keqardhje për mungesën e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas takimit të 21 nëntorit në Bruksel, nën kujdesin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell”, thuhet në postimin e ambasadorit në rrjete sociale.
"Ajo i bashkohet thirrjeve të Bashkimit Evropian për të shmangur çdo veprim të njëanshëm që mund të nxisë tensionet. Ajo u kërkon të dyja palëve, dhe në veçanti Kosovës, të pranojnë propozimin e kompromisit të formuluar nga Bashkimi Evropian", ka deklaruar Guerot më tutje.
“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin evropian, i cili duhet të bëjë të mundur përparimin drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe të ecim përpara në drejtim të perspektivës evropiane të dy vendeve”, deklaroi më tutje.
“Ajo nxit palët që në ditët në vijim të vazhdojnë diskutimet në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura tashmë, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe”, përfundon postimi.
