Kurti e Bashkimi Evropian në 'luftë të ftohtë', ashpërsohet gjuha - NACIONALE

Kurti e Bashkimi Evropian në 'luftë të ftohtë', ashpërsohet gjuha

1 vit më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti dhe Josep Borrell po e shohin ndryshe një gjë të njëjtë, me një mospajtim që vetëm sa u thellua sot. Albin Kurti dhe BE-ja nuk po pajtohen për atë që ndodhi dje në Bruksel. Dhe ky mospajtim duket se mund të rritet edhe më shumë. Por, cili është saktë ky mospajtim bizar dhe kush saktësisht nuk po e thotë të vërtetën?

“Çdo pretendim se BE-ja po heq dorë nga propozimi i saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA, është i pavërtetë." – i thanë sot nga Bashkimi Evropian, gazetës Nacionale.

Ky pretendim i ‘pavërtetë’ sipas Bashkimit Evropian ishte bërë dje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pra, BE-ja po hiqte dorë nga normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi duke u fokusuar te çështja e targave sipas kryeministrit të Kosovës.

Por, pavarësisht deklarimeve të Borrellit e BE-së, Kurti ka ngulmuar në qëndrimet e tij edhe në Prizren.

Çka tha tash Kurti?

Ne jemi optimistë dhe besoj që korrigjimi i gabimit të Borrelit është i domosdoshëm. Është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve, e liderët, unë si kryeministër i Kosovës dhe Vuçiqi si president i Serbisë, të flasin e dakordohen për targa, për të cilat dorën në zemër as unë në Kosovë e as ai (Vuçiqi) në Beograd nuk jemi personat përgjegjës,” – tha Kurti para gazetarëve po sot.

Pra, Kurti dhe BE-ja janë tashmë në dy pole krejtësisht të kundërta sa i përket kësaj çështjeje. Me pak fjalë, dikush nuk po e thotë të vërtetën.

Gjatë ditës së djeshme, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, po ashtu përmendi një gjë të tillë. Ai tha se “çuditërisht ishte refuzuar” propozimi i Kosovës që të përfshihej në marrëveshje edhe nisja e diskutimeve për planin franko-gjerman.

Ndiheni konfuzë?

Natyrisht se duhet të ndiheni konfuzë. BE-ja sipas Kurtit nuk po merrte vesh fjalët e veta, dhe nuk po përkrahte iniciativat e veta.

Kurti kishte folur për këtë çështje edhe dje në Bruksel. Edhe në kryeqytetin belg ai ishte shprehur se fokusi i BE-së ishte te targat.

“Ka pasur kërkesë të vazhdohet vetëm me qortime, kurse Serbia të pushojë me lëshimin, prodhimin e lëshimin e targave në Serbi që kanë për emërtim qytetet e Kosovës. Natyrisht që kjo për neve nuk është e pranueshme...” – ishte shprehur Kurti.

Por, në pjesën më të rëndësishme të fjalës së tij, ai kishte përmendur edhe një afat.

“Me keqardhje mund të them që, përfaqësuesi i lartë Borrell hoqi dorë nga ky afati mars 2023 nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve.”

Për këtë afat, nuk dinte askush – siç potencoi edhe gazetarja Una Hajdari me anë të një postimi në Twitter.

Çka tha Borrelli?

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në fjalën e tij pas takimeve në Bruksel që rezultuan në dështim u shfaq më i ashpër se asnjëherë.

Ai qortoi sidomos Kosovën për dështimin e këtij takimi, duke thënë se Vuçiq kishte pranuar propozimin e tyre por jo edhe Kurti.

“Do t’i informoj shtetet anëtare dhe partnerët për sjelljet e palëve, dhe mungesën e respektit për obligimet legale ndërkombëtare, sidomos nga Kosova. E di që kjo dërgon sinjal shumë negativ politik (për Kosovën),” – ishte shprehur z. Borrell.

Kujtojmë se sot pas kërkesës amerikane, Kurti ka shtyrë për 48 orë afatin për nisjen e fazës së gjobave në veri – fazë që konsiderohet se mund të rris tensionet.

Duhet kujtuar se Bashkimi Evropian kishte qenë i ashpër ndaj Kurtit edhe për deklaratat e tij se Serbia e kishte refuzuar planin franko-gjerman. "Ne nuk jemi në dijeni që zoti Kurti është zëdhënës i Qeverisë së Serbisë prandaj për pozicionin e Serbisë do të ishte e duhur të kërkojmë përgjigje nga autoritetet serbe,” - kishin thënë nga BE-ja.

Lajme të ngjashme