Opozita kërkon raportim të Kurtit në Kuvend për kidnapimin e policëve në veri, pajtohet edhe VV-ja
Përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të raporton sot në Kuvendin e Kosovës për kidnapimin e policëve të Kosovës nga Serbia në veri.
Në seancën e stome parlamentare, ata kanë dënuar veprimin e djeshëm të Serbisë duke e konsideruar si akt agresioni.
Sipas tyre, gjendja në vend nuk është normale dhe kryeministri duhet të flas para deputetëve për këtë gjendje. Kërkesën e opozitës nuk e ka kundërshtuar as VV-ja.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, që të kontakton me kryeministrin Kurti për mbajtjen e kësaj seance.
“Andaj, i nderuar kryetar unë ju ftoj që ju në emër të Kuvendit të Kosovës të kontaktoni me kryeministrin Kurti që ta ftojmë të vijë sot në një seancë të veçantë për të raportuar se cilat janë veprimet e qeverisë që janë duke i ndërmarr për kthimin e policëve tonë, por edhe për situatën e sigurisë në përgjithësi në veriun e vendit”, ka thënë Krasniqi.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe shefi i Grupit Parlament të LDK-së, Arben Gashi.
“Në emër të grupit parlamentar të LDK-së kërkoj që kryeministri të vije sa më shpejt në një seancë të veçantë raportuese para Kuvendit të Kosovës dhe të raportoj për situatën në veri, për gjendjen e zyrtarëve policorë për aq sa ai ka informacion, për veprimet dhe masat që janë ndërmarr, për arsyeshmerinë e masave dhe veprimeve”, ka thënë Gashi.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar një gjë të tillë.
Ai ka bërë me dije me veprimet e djeshme Serbia ka cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovë.
“Edhe nëse Qeveria harron, populli nuk harron. Kjo porosi që e kemi vendosur është për SHBA-në, NATO-n dhe BE-në. Sot kryeministri habitet pse po rri në heshtje faktori ndërkombëtar. Kërkojmë nga faktori ndërkombëtar urgjentisht të bëjë thirrje për lirim të policëve. Veprimet amatoreske në veri të Kosovës dhe shpërfillja e ndërkombëtarëve ka sjellë në këtë situatë. Në emër të grupit parlamentar kërkojmë nga kryeministri të vijë dhe të raportojë. Nuk ka asnjë logjikë kur në mëngjes takohet Këshill i Sigurisë të sillemi zakonshëm”, ka thënë ai.
Edhe VV-ja pro raportimit të Kryeministrit
Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka kundërshtuar kërkesën e opozitës.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka lavdëruar qëndrimin e partive opozitare për këtë çështje.
Në këtë mënyrë, sipas saj, Kuvendi po përçon mesazh uniteti.
Ajo ka bërë me dije se kryeministri do të raporojë për këtë cështje në një kohë të përshtatshme.
“Sot ky Kuvend e përçon mesazhin e unitetit se të gjithë jemi bashkë. Pajtohem dhe i kemi bë ftesë kryeministrit që kur e ka kohen e përshtatshme të vijë dhe të diskutojmë por duhet që ne të vazhdojmë që te kryejmë detyrat tona dhe të vazhdojmë me pikat e rendit të ditës. Kjo tregon se këto ndodhi nuk mund të na ndajnë.”, ka thënë ajo.
Dje, njësitë speciale të Policisë së Serbisë janë futur qindra metra në territorin e Kosovës dhe kanë arrestuar tre zyrtarë policor të Kosovës. Pamjet që kanë sjell mediat serbe kanë qenë poshtëruese.
Në fotografit e postuar policët e Kosovës duken të shtrirë përmbys, të çarmatosur dhe me sy e duar të lidhura.
Një veprim i tillë është konsideruar edhe si shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Policia e Kosovës ka treguar vendin ku janë kidnapuar kolegët e tyre.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”, është thënë në komunikatën e policisë.

