Poshtërohet sërish policia, Serbia futet thellë në territorin e Kosovës dhe rrëmben tre policë
Njësitë speciale të Policisë së Serbisë sot në mesditë janë futur qindra metra në territorin e Kosovës dhe kanë arrestuar tre zyrtarë policor të Kosovës. Pamjet që kanë sjell mediat serbe kanë qenë poshtëruese.
Në fotografit e postuar policët e Kosovës duken të shtrirë përmbys, të çarmatosur dhe me sy e duar të lidhura.
Një veprim i tillë po konsiderohet edhe si shkelje flagrante e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës nga ana e Serbisë.
Policia e Kosovës ka treguar vendin ku janë kidnapuar kolegët e tyre.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së”, është thënë në komunikatën e policisë.
Veprimin e ka dënuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka vlerësuar se kjo është një hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune.
“Tre zyrtarë të policisë së Kosovës janë rrëmbyer sot në Leposaviq në vendin ku dikur kishte një rrugë ilegale të kontrabandës e që ndodhet rreth 300 metra në brendësi të territorit të shtetit tonë. Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës. Policia e Kosovës është treguar tejet e vetëpërmbajtur këto javët e fundit. Hyrja e forcave të Serbisë në territorin e Kosovës është agresion dhe synim për eskalim dhe destabilizim”, ka thënë Kurti.
Ai ka kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve të rrëmbyer policor, duke i ftuar ndërkombëtarët që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë.
Qeveria ndalon hyrjen e mallrave nga Serbia
Rrëmbimi i zyrtarëve policor ka nxitur reagime të shumta në vend.
Duket se masa e parë kundër Serbisë pas kidnapimit të tre policëve tanë ka ardhur.
Nacionale ka mësuar se Qeveria e vendit ka marrë vendim që të ndalet importi i mallrave nga Republika e Serbisë.
Nacionale ka kontaktuar ministren e Idustrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari por deri tash nuk kanë marrë përgjigje.
Në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti që e ka quajtur edhe "agresion" edhe synim për destabilizim
Veprim të ngjashëm kishte marrë edhe Qeveria Haradinaj, duke tarifën doganore 100% për mallrat serbe.
Ky veprim ishte ndërmarr pas dëshimit të Kosovës për të hyrë në UNESCO.
Kjo politikë ishte mbështetur edhe nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje, por të cilët kishin propozuar masën e Reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik dhe politik me Serbinë.
Sidoqoftë, do të ishte vetë Kurti ai që do të hiqte taksën 100% ndaj mallrave serbe në mars dhe prill të vitit 2020 si kryeministër në Qeverinë Kurti I.
Fajësohet Qeveria
Analistët e ndryshëm politik kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për këtë rast.
Ata kanë vlerësuar se tensionimi i situatës në veri po sjell poshtërimin e policisë së Kosovës në veri.
Analisti Halil Matoshi ka kërkua dorëheqjen e kryeministri Albin Kurti.
“Marrëzitë e Albinit, Xhelalit dhe Dejona Mihalit i paguejnë djemtë e përbuzun të Kosovës! Dorëheqje sot. Kosova nuk paguen ma për egot e jueja!”, ka shkruar Matoshi.
Edhe gazetari Vehbi Kajtazi rrëmbimin e policëve e ka cilësuar si poshtërim.
“Pamje poshtnuese kidnapimi i policeve tane nga regjimi i Vuçiqit. Kjo eshte Serbia. Kete di ta beje. Tash, cka mund te beje shteti i Kosoves per lirimin e tyre? T'i ankohet Shteteve te Bashkuara? Bashkimit Evropian? Epo, s'ka qysh. Sepse jemi nen sanksione pikerisht per shkak te paditurise se Albin Kurtit i cili e ka sjell shtetin ne nje situate pa asnje aleat. Per trimerine dhe perkushtimin e policeve tane nuk kemi cka te flasim. Jane te gatshem ta lene koken edhe nese kete ua kerkon ndonje kokekrisun”, ka shkruar Katazi.
Kurse, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, ka komentuar arrestimet e tre policëve të Kosovës nga policia e Serbisë, në veri të Kosovës.
Ai ka kërkuar riorganizim urgjent të prezencës policore në kufi para së të bëhet vonë.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se njësitë speciale duhet të jenë të vendosura në kufi e jo në qyteza.
“Njesite speciale duhet te jene te vendosura ne kufi e fjate kufirit jo ne qyteza…….riogranizimi urgjent i prezences policore para se te behet vone…”, ka shkruara ai.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia e bën një veprim të tillë. Veprim të ngjashme kishte edhe bërë edhe në vitin 2012, ku në fshatin Dumnicë të Podujevës xhandarmeria serbe kishte arrestuar tre policë. Ky veprim ishte cilësuar si poshtërim i shtetit të Kosovës.