Përdhosja e policëve: Kurti s'e merr asnjë vendim serioz kundër Serbisë - S'ndalen as mallrat as qarkullimi
Xhandarmëria serbe përdhosi dje tre zyrtarë policorë të Kosovës. Dhe pavarësisht qëndrimeve të shprehura me fanatizëm për dinjitet e sovranitet, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë masë serioze kundër Serbisë deri tash. Çka tha Kurti dhe pse nuk po vepron?
Kurti e cilësoi rastin e djeshëm si “agresion” të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
Ai pas mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, u shpreh se ishin shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, dhe ishte kufizuar “qarkullimi” dhe ishin “shtuar kontrollet e automjeteve që vijnë nga Serbia”.
Pra, me pak fjalë asgjë. Asnjë masë serioze kundër Republikës së Serbisë.
Kurti vetëm u shpreh se "veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse." Pra, të radhës pas rritjes së kontrolleve kufitare.
Dje
Gjatë ditës së djeshme dolën dy lajme të ndryshme. Në njërin thuhej se Qeveria kishte marrë vendim që të ndaleshin mallrat nga Serbia. Pra, u la nënkuptimi se ishte marrë vendimi që të ndaleshin importet nga Serbia.
Sveçla kishte thënë se “të gjithë kamionët me targa të Serbisë... nuk mund të futen në Republikën e Kosovës.”
E vërteta ishte se thjesht ishin shtuar kontrollet, sidomos të atyre transportuese.
Po ashtu, doli edhe lajmi se ishin ndaluar që të hynin në Kosovë automjetet me targa serbe. Përsëri e pavërtetë.
Madje, për një gjë të tillë kishte folur edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai i tha Radio Evropës së Lirë këto fjalë:
“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit,” – tha z. Kryeziu.
Por, doli se kjo nuk ishte e vërtetë.
Veturat me targa serbe po lejoheshin që të futeshin në Kosovë.
‘Pardje’
Edhe në vitin 2012 ishin poshtëruar dy policë të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Dhe, në atë kohë, kryeministri i vendit kishte pasur fjalë e qëndrim krejtësisht tjetër.
Në një paraqitje televizive, ai thoshte se Policia e Kosovës “kishte vdekë për së gjalli” derisa shprehte edhe këto fjalë:
““Jau kanë dhunuar tre policë në Dumnicë. Xhandarmëria serbe jau ka shtrirë në dushk të malit, ratë. Pse asnjëri prej tyre nuk dha intervistë? “Si bëhet që asnjëri prej tre policëve që u shtrinë ratë në Dumnicë nuk dha intervistë? Si bëhet që asnjë shok i tyre nuk mori hak?”
Më pas, kishte edhe një filmim në të cilin ai e ndiqte një polic duke i bërtitur ashpër:
““O majmun, në Mitrovicë në urë të Ibrit t’i kanë poshtru, t’i kanë poshtru kolegët e tu në Dumincë, s’tu ka ni zani, s’tu ka ni. Ik tash,”

