‘Na pasni korit’: Qytetarët i reagojnë Sveçlës pasi konfirmoi se janë kidnapuar tre policë nga Serbia
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla para disa minutash ka konfirmuar se tre policë të Kosovës janë kidnapuar nga Serbia, pasi “Serbia ka hyrë brenda territorit” tonë.
Njoftimi i tij ka shkaktuar reagimin e qytetarëve në Facebook, të cilët i kanë komentuar ministrit, ku një prej tyre, i ka kërkuar që “ta lërë Facebookun, e të dalë me konferencë për media”.
“Minister le Facebookin thirre konference me media.” - ka shkruar një qytetar.

Dikush tjetër, i ka kërkuar dorëheqje ministrit Sveçla, pasi sipas tij, iu kidnapuan tre policë brenda territorit tonë.
“FSK-ja duhe të hyjë në veri patjetër. Nuk ka kapacitet policia ta run kufirin.” – ka thënë një komentues.


Dikush tjetër, iu drejtua Sveçlës me fjalët: “na pasni korit bre”.
Ndërkaq, ka pasur edhe të tillë që me ironi kanë thënë se mund t’ia dalin edhe “pa Amerikën e KFOR-in”.

Këto janë vetëm disa prej komenteve që janë bërë deri më tani në statusin e ministrit Sveçla, të cilin e gjeni më poshtë.
Çka ndodhi?
Pas raportimeve nëpër media serb, policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë për media, ku ka thënë se “në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se janë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues”.
“Me qëllim që të ndërmerren veprime konkrete për sigurinë e zyrtarëve policorë që dyshohet të jenë kidnapuar nga forcat serbe, janë kontaktuar të gjitha mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar që të njëjtit të lirohen sa më parë dhe të kthehen në Polici të Kosovës.” – thuhet në njoftimin e tyre.
Ministri Sveçla ndërkaq, s’e ka përdorru fjalën “dyshim”, por ka thënë se policët “janë kidnapuar”.
“Përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës, në shkelje të çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.” – ka thënë ai.
Ministri i Qeverisë Kurti i ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë.
