Odat ekonomike të shqetësuara se mund të ikin investitorë të huaj nga Kosova, shkak situata e tensionuar
Situata e sigurisë në veri të vendit, fillimisht me tensionet në katër komunat pas fillimit të punës së kryetarëve të rinj shqiptarë, e tash edhe me kidnapimin e tre zyrtarëve policiorë të Kosovës nga ana e Policisë së Serbisë, po ndikon edhe në aspektin ekonomik e të investimeve të huaja. Investitorët potencialë edhe ata ekzistues, janë shprehur të shqetësuar.
Odat ekonomike të vendeve të huaja që gjenden në Kosovë, kanë filluar të reagojën e të shqetësohen për situatën e sigurisë në vend, me paralajmërime se mund të largohen investitorët e huaj dhe ata që veçse kanë investuar në shtetin tonë.
Të enjtën më 15 qershor, ka reaguar edhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, duke thënë se kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë kanë rritur ankesat dhe shqetësimet e tyre.
“Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (KDËV-OEGJK) po ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale në veri të Kosovës, si dhe zhvillimet e fundit politike në vend. Si përfaqësuese e 198 kompanive anëtare, përfshirë kompani gjermane dhe kosovare, investitorë potencialë dhe kompani anëtare, që punojnë ngushtë me kompani gjermane, OEGJK në baza ditore dëgjon shqetësimet në rritje nga ankesat e pranuara.” – thuhet në reagimin e tyre.
Më tej, OEGJK-ja ka thënë se është e shqetësuar që kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë dhe mund të ndërpresin aktivitetet ekzistuese për arsye të paëndërueshmërisë politike.
“Anëtarët e OEGJK-së janë të shqetësuar se kompanitë gjermane mund të heqin dorë nga investimet në Kosovë, ose të ndërpresin aktivitetet ekzistuese. Lajmet për paqëndrueshmëri politike dëmtojnë besimin e klientëve dhe investitorëve gjermanë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo ndikon negativisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-kosovare dhe i shkakton dëm Kosovës, si lokacion për investime dhe biznes.” – thuhet në reagim.
Tutje, Oda Ekonomike Gjermane që përfaqëson 198 kompani kanë bërë këtë thirrje ndaj qeverisë:
“Lehtësimi i tensioneve dhe nxitja e zhvillimit të një mjedisi të qëndrueshëm janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e një klime të mirë të të bërit biznes. U bëjmë thirrje vendimmarrësve politikë në Kosovë që të ndërmarrin hapa për rivendosjen e një mjedisi të qëndrueshëm politik.” – kanë thënë ata.
Ndërkohë, ditë më parë edhe Oda Ekonomike Amerikane kishte reaguar për situatën në veri të vendit duke thënë “tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm”.
“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj për zhvillimet e fundit dhe mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, Nacionale ditë më parë ka raportuar se cili do të jetë ndikimi i tensioneve në veri në aspektin ekonomik.
Nacionale kishte biseduar me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës për të kuptuar se cili është ndikimi tek investitorët e huaj dhe tek bizneset situata e tensionuar në veri të vendit.
Drejtoresha Ekzekutive e DhTIK-së, Zana Beqiri, kishte thënë se sektori privat edhe investitorët e huaj hezitojnë të investojnë në Kosovës për shkak të ndikimi negativ që prodhojnë tensionet dhe mungesa e sigurisë
Kësisoj sipas saj, pasiguria ndikon që Kosova të jetë më pak atraktive për investime afatgjata.
Aktualisht situata në veri të vendit vazhdon të jetë e qetë, por e tensionuar.



