"O besimtarë", "pse s'na njeh": Takimi i Osmanit me Papën ngjall reagime te myslimanët në Kosovë - NACIONALE

"O besimtarë", "pse s'na njeh": Takimi i Osmanit me Papën ngjall reagime te myslimanët në Kosovë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, dje ka vizituar shtetin e Vatikanit, ku u prit nga hiç më pak se Papa Françesku në një audiencë private. Së bashku me shefen e shtetit ishte edhe Zotëriu i parë, Prindon Sadriu dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, së bashku me burrin e saj. E si gjithmonë, kjo vizitë ka ngjallur reagime të shumta në Facebook.

Në reagimet e tyre, qytetarët qenë të ndarë në mendime, disa e përkrahnin këtë vizitë në Selinë e Shenjtë, ndërsa disa të tjerë e kundërshtonin. Shumica e atyre që kundërshtuan, përmenden si fakt mosnjohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Vatikanit.

Një qytetar me emrin Adem Zuka, që duket të jetë mysliman praktikues, shkroi një reagim në Facebook, duke shkruar se “shqiptarët e kashojnë dorën që i ushqen dhe e lëpijnë këpucen që i sundon”. Natyrisht, ai nuk e shpjegoi se cilat janë këpucet që i sundon, ndonëse aludimi ishte i qartë, pasi ai e botoi edhe lajmin për takimin e Osmanit me Papën.

“Sa vizita ia bënë Rugova, Thaçi, Ramushi e tash Vjosa por e kot, o besimtarë…nuk ju duan përderisa të bëheni si ata” – shkroi qytetari Zuka.

Ndërsa hoxhë Husamedin Abazi bëri një postim të çuditshëm, duke e krahasuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në selinë e BIK-ut, ku u takua me Myftiun Naim Tërnava, dhe atë të presidentes Osmani në Selinë e Shenjtë.

“Në të njëjtën ditë, Kryeministri te Myftiu e Presidentja te Papa! Interesant a?!” – shkroi Abazi, pa dhënë ndonjë sqarim më shumë se pse një gjë e tillë është interesante.

“Mirëpo, dallimi është se presidentja me plotë krenari i ka publiku fotot e saj me papën në faqen e saj në fb, ndërsa kryeministri as foto e as lajm nuk ka publiku deri më tani për takimin me muftiun.” – i komentoi një qytetar, të cilin koment z. Abazi e injoroi, duke mos u përgjigjur, por as duke mos e pëlqyer.

Edhe Ali Sefaj, kryesindikalisti i administratës qendrore, shkroi një status, ku komentoi statusin e zonjës Osmani, duke theksuar se përfaqësuesit qeveritarë nuk kanë nevojë të gënjejnë.

“Kosova nuk ka pas raporte shekullore me Vatikanin leni këto pollavra. Kosova as sot nuk ka raporte me Vatikanin, sepse Vatikani nuk e njeh Kosovën. Nuk keni nevojë me rrëjtë, është mirë me taku dhe me ia kërku njohjen e Kosovës!” – shkroi sindikalist Sefaj.

Ndërsa një qytetar tjetër e kishte një pyetje.

“Boll shume vizitat i bame t’u fillue prej Rugoves e deri sot me Vjosen, por eshte e çuditshme pse Vatikani nuk po na njeh?!” – shkroi qytetari me emrin Ukë Balaj.

Natyrisht, kishte edhe qindra komente të tjera, të cilat kritikonin ose talleshin me vizitën e presidentes Osmani.

Çka shkroi Vjosa Osmani?

Presidentja Osmani dje tregoi se ka takuar në një audiencë private Papën Françesku në Selinë e Shenjtë. Ajo ka shkruar se ishte e lumtur për këtë pritje, duke shtuar se e njoftoi Papën për vendosmërinë e Kosovës për të kultivuar e promovuar paqen, harmoninë e bashkëjetesën ndërmjet njerëzve.

“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi.” – shkroi zonja Osmani.

Por Osmani përmendi edhe raportet shekullore ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit, duke treguar se shteti kosovar synon njohjen e pavarësisë.

“Thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientimi ynë i përbashkët. Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore.” – përfundon statusi i zonjës Osmani.

Duhet thënë se Kosova shquhet për tolerancën e gjerë ndër-fetare, dhe gjuha e urrejtjes online është vetëm një fenomen që po shprehet kohët e fundit.

Lajme të ngjashme