Nura për Gjykatën Speciale: Aktakuzat janë të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura ka thënë se marshi i mbajtur në Prishtinë kishte qëllim dhe fokus, drejtësinë.
Nura gjatë marshit ka thënë për Ekonomia Online se në bazë të fakteve dhe nga ato që janë të njohura, ish-krerët e UÇK-së duhet të jenë të lirë.
“Shpresojmë në bazën e fakteve dhe atyre që janë të njohura ata duhet të jenë të lirë. Nuk do të duhej të ishin 2 vite paraburgim sepse është krejtësisht e panevojshme, aq më tepër kur edhe shtete të treta kanë garantuar mbrojtjen në liri të tyre. I gjithë ky marsh kishte këtë fokus, këtë qëllim, thjesht drejtësi.” – ka thënë Nura.
Tutje i pari i Skenderajt ka thënë se Gjykata Speciale është institucion që është themeluar nga Kosova, mirëpo nuk duhet të jetë në shërbim të politikës dhe sipas tij aktakuzat janë të fabrikuara nga Serbia.
“Ai është institucion që është themeluar nga Kosova, duhet të jetë qartë objektive dhe mos të jetë në shërbim të politikave ose gjeopolitikave. Fatkeqësisht, e dijmë se aktakuzat janë të fabrikuara nga Serbia, Rusia dhe gjitha ato që tanimë janë publike. Të gjitha ato materiale janë produkt i Prokurorisë të Serbisë dhe kjo është e qartë.” – është shprehur Nura.
