Nura: Minimumi 10 milionë euro dëme nga vërshimet në Skënderaj
Kreu i Skënderajt, Fadil Nura, ka folur rreth situatës aktuale që po mbretëron në komunën që e drejton.
Në një deklaratë dhënë EuroNews, Nura ka shtuar se situata është qetësuar paksa, në krahasim me ditët paraprake, por që dëmet janë të konsiderueshme.
Madje, siç e thotë ai, këto dëme kanë kapur shifra të larta monetare, duke tejkaluar edhe 10 milionëshin.
Veç kësaj, ai pohoi faktin se ka pranuar ndihma nga kryeministri Rama dhe kryebashkiaku Veliaj, por që ka kërkuar edhe nga institucionet kosovare një gjë të tillë.
“Reshjet s’ka për momentin, dje dhe sot kanë ndaluar fatmirësisht. Gjendja është stabilizuar, por dëmet janë jashtëzakonisht të mëdha dhe jemi duke u marrë me sanimin e tyre. Kryesisht ka 10 fshatra që janë goditur, përfshirë edhe qyteti, është dëmtuar infrastruktura publike. 11 ura të shkatërruara, rrugë, ekonomi familjare, biznese, ekonomi bujqësore, minimumi 10 milionë euro dëme në total”, tha fillimisht ai.
Nura po ashtu nuk nguroi të kërkojë ndihmë edhe nga bashkatdhetarët, duke shtuar se synim mbetet sanimi i dëmit në afat më të shkurtër.
“Pres ndihmën edhe të bashkatdhetarëve që të mbledhim fonde shtesë, t’i sanojmë këto dëme në afat sa më të shkurtër. Hapja e fondit do të jetë mundësi shtesë që sa më shpejt të riparohet e tërë katrahura. Përgjegjësia kryesore është te Qeveria. Marrë parasysh se demet janë kolosale, kemi hapur edhe një fond. Presim që të jetë në funksion të kësaj”.
Takimi
Pas shumë reagimeve në rrjetet sociale, kryeministri i Republikës, Albin Kurti sot vizitoi Skënderajn.
Bashkë me shefin e ekzekutivit ishin edhe ministrat Mehaj e Krasniqi.
"Familjet e prekura dhe Skenderaj në tërësi, në këtë gjendje çfarë ndodhen pas përmbytjeve, kanë nevojë më shumë se kurrë për përkrahje nga niveli qendror, që të harrohet ajo që ndodhi e të nisim nga e para", shkroi ndër tjerash ai.
Paralajmërimi
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime të tjera gjatë ditës së martë.
Madje, përmes një njoftimi të IHMK-së është paralajmëruar që Skënderaj, bashkë me Klinën e Mitrovicën mbeten nga komunat e rrezikuara nga vërshimet eventuale.
“Duke e pasur parasysh situatën me përmbytje të deri tanishme, sidomos në Mitrovicë, Skenderaj, Klinë etj., kjo gjendje mund të vështirësoj edhe më tutje situatën, ngase rrjedha ujore të këtyre zonave janë në kapacitetet e tyre maksimale, tokat sidomos ato në viset e rrafshëta janë të tejngopura me ujë dhe është limituar kapaciteti i tyre absorbues, gjegjësisht lagështia e tokës në shtresën sipërfaqësore.” – thuhet në njoftimin e IHMK-së.
Malisheva
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati ka njoftuar se pas vërshimeve kanë dërguar pako ushqimore dhe higjienike në Skenderaj.
Kastrati ka njoftuar se këto pako janë grumbulluar nga qytetarët dhe bizneset në Malishevë.
“Në përkrahje të familjeve të prekura nga vërshimet në Skenderaj. Situata e rënduar si pasojë e vërshimeve që ditë më parë përfshiu disa qytete në Kosovë, në masë më të madhe Skenderajn, ka prekur tej mase edhe shpirtin e mirë të qytetarëve dhe bizneseve të Komunës së Malishevës, që në koordinim me Komunën tonë kanë nisur një aksion të grumbullimit të disa pakove ushqimore dhe higjienike, që sot i kemi dërguar në Skenderaj.” – ka shkruar ai.

