“Nuk munda t’i shpëtoja”: Peshkatari italian i vajton viktimat e përmbytjes së barkës me emigrantë - NACIONALE

“Nuk munda t’i shpëtoja”: Peshkatari italian i vajton viktimat e përmbytjes së barkës me emigrantë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ishte një e diel që peshkatari italian, Vicenzo Luciano, nuk do ta harrojë kurrë. Para agimit, filloi të vraponte drejt plazhit afër shtëpisë së tij dhe e nisi nxjerrjen e trupave nga deti, viktima të përmbytjes vdekjeprurëse të një barke me emigrantë, që deri më tani ka lënë 67 të vdekur.

Megjithatë, deri në lindjen e diellit, pasi kishte bërë përpjekje me dritën e telefonit të një miku e rryma e nënujshme i tërhiqte trupat, ai nuk e kishte kuptuar nivelin e shkatërrimit përreth tij, raporton agjencia “Reuters”.

“Nuk isha gati për këtë, bëra panik... Pashë dhjetë trupa, të gjithë njëri mbi tjetrin”- tha ai, duke shtuar se edhe disa persona të tjerë kishin arritur shpejt në vendin e ngjarjes.

Autoritetet italiane thonë se 150 deri në 200 emigrantë ndodheshin në barkën e drunjtë, e cila, pasi ishte nisur nga Turqia, u shkatërrua afër qytezës Steccato di Cutro, në jug të Italisë.

Shumica ishin nga Afganistani, disa të tjerë nga Pakistani, Siria, territoret palestineze, Irani e Somalia. Rreth 80 persona janë shpëtuar, ndërsa po vazhdon kërkimi për të tjerë.

Anëtarët e familjeve të viktimave kanë shkuar në qytetin Crotone nga pjesa veriore e Evropës për t’i vajtuar të vdekurit e tyre në një sallë sporti, ku janë vendosur arkivolet. Autoritetet thonë se të paktën 16 prej tyre ishin të mitur.

Luciano, 51 vjeç, i cili ishte futur shpejt në det të dielën për të dhënë ndihmë, pasi ishte njoftuar nga një mik, që e kishte parë zhvillimin e tragjedisë dhe i cili u bashkua në përpjekjet për shpëtim të hënën e të martën, kur tha se ndihmoi për nxjerrjen e katër trupave.

Ai foli për pikëllimin dhe fajin që i ndien pse s’mundi të bënte më shumë.

“Zemërimi im është që nuk munda ta shpëtoja asnjërin prej tyre”- tha Luciano në plazhin e mbushur me mbetjet e barkës.

Në veçanti, ai tha se nuk mund ta largonte mendjen nga një djalë i vogël, të cilin u mundua ta shpëtonte në mëngjesin e parë.

“Ai ishte 2 ose 3 vjeç. E nxora, sytë i kishte ende hapur dhe thashë: Ndoshta do ta shpëtoj. Por u detyrova që t’i mbyllja ata sy”- shtoi Luciano.

“Nëse do të kisha qenë aty një minutë, ose ndoshta 20 sekonda më herët, ndoshta do të mund të shpëtoja”- tha peshkatari i mërzitur.

Lajme të ngjashme