"Nuk kemi parë hapa të mjaftueshëm për shtensionim": BE-ja tregon pse s’po i heq masat ndaj Kosovës
Përkundër sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ende janë në fuqi. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka treguar arsyen se pse ende nuk janë hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që u vendosën si formë ndëshkimi për “eskalimin në veri”. Çka tha Stano?
Sipas Stanos, masat ndëshkuese ende nuk janë hequr për shkak se vendet anëtare të BE-së nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për deeskalimin e situatës në veri. Tutje, ai ka theksuar se kthimi në dialog nuk ka alternativë, duke u bërë thirrje Prishtinës e Beogradit që të angazhohen në procesin e dialogut, që lehtësohet nga BE-ja.
“Masat e prezantuara për Kosovën ishin reagim direkt ndaj eskalimit që pati, apo mungesës së deeskalimit që kemi parë më herët, nuk po flas për 24 shtatorin, po flas për periudhë para kësaj. Shtetet anëtare ende nuk kanë parë hapa të mjaftueshëm nga Kosova për deeskalim kuptimplotë, për këtë arsye masat janë ende në fuqi. Sa i përket dialogut, nuk ka asnjë rrugë tjetër, pos kthimit në dialog. Rruga drejt BE-së për Kosovën e Serbinë shkon pashmangshëm nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, s’ka rrugë tjetër.” – deklaroi Stano, duke shtuar se Kosova e Serbia duhet të angazhohen për të arritur kompromiset e nevojshme.
Sigurisht, Stano ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që u krye nga një grup i armatosur i serbëve, i cili udhëhiqej nga Milan Radojiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe që dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i sanksionuar nga ShBA-ja dhe Britania.
Në përgjigjen e tij, zëdhënësi i BE-së vlerësoi se ky institucion pret rezultatin përfundimtar të hetimit në lidhje me sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Presim rezultatin përfundimtar të hetimit të plotë. Kur të përfundohen hetimet, e BE-ja të ketë rezultatet, e të ketë pamje të qartë se çfarë ka ndodhur dhe kush qëndron prapa kësaj, atëherë shtetet anëtare do të vendosin për hapa tjerë”, ka thënë Stano. “Duhet të shohim hapa të arsyeshëm drejt deeskalimit kuptimplotë, kthim në dialog, e kur vjen te ngjarjet e 24 shtatorit hetim të plotë e përfundimtar. Sa i përket kushtëzimit për kthim në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të qartë, dialogu duhet të vazhdojë, dyja palët duhet të kthehen në dialog.” – deklaroi ai, transmeton Koha.
Ndryshe, liderët e Kosovës kanë kërkuar në vazhdimësi sanksione kundër Serbisë në lidhje me sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Madje, presidentja Vjosa Osmani, gjatë samitit në Granada të Spanjës, vlerësoi se pa sanksionimin e Serbisë nuk ka arsyeje të vazhdohet procesi i dialogut.
“Nuk ka arsye për tu takuar para se të vendosen sanksione kundër (Aleksandar) Vucic-it, sanksionet fillimisht e më pas mund të diskutojmë për të tjerat… Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e partnerëve dhe miqve evropian për ta sanksionuar Serbinë në mënyrë që ajo të mos nxitet për të kryer akte të tilla agresioni kundër Kosovës dhe vendeve të tjera fqinje sërish.” – ishte shprehur Osmani.
Në linjë të njëjtë ishte edhe Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ditë më parë, Gërvalla kishte deklaruar se pas sulmit të 24 shtatorit, nuk mund të vijohet me avazin e vjetër.
"Në këtë situatë që është krijuar pas 24 shtatorit asgjë nuk mund të vijojë me avazin e vjetër. Është e pamundur sepse ne duhet të sigurojmë sigurinë e qytetarëve. Duhet të shohim si do të sillet bashkësia ndërkombëtare në raport me Serbinë. A do ta marrë përgjigjen e merituar për agresion apo jo. Pastaj mund të vijë koha e të ulemi e të diskutojmë me qetësi. Nuk është momenti të diskutojmë sot për asociacion." – deklaroi Gërvalla.

