"Nuk ka pasë ma kurrfarë rahmeti": Fjalët tronditëse të gazetarit që derdhi lot në Kuvend për sulmin në veri - NACIONALE

"Nuk ka pasë ma kurrfarë rahmeti": Fjalët tronditëse të gazetarit që derdhi lot në Kuvend për sulmin në veri

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Në komisionin parlamentar për media kanë folur gazetarët e lënduar pas sulmeve të huliganëve serbë në veri të Kosovës. Vëmendja u mor sërish nga z. Pleurat Salihu, që në disa momente madje edhe qau derisa shprehte rrëfimin e tij tronditës për sulmin. Çka tha Salihu?

“Mos pyet për plagët e mia pa e ditë ku i ka kufijtë Shqipëria,”kishte shkruar z. Salihu në fotografinë e tij me dorën e lidhur pas sulmit të tmerrshëm që kishte përjetuar.

Sot, ai ishte në Kuvendin e Kosovës, komisionin për media, dhe foli gjerë e gjatë në lidhje me sulmin e ndodhur.

Nashta kom me derdhë lot

Që në fillim të fjalës së tij, gazetari Salihu paralajmëroi se do të tregonte gjithçka për situatën dhe se mund të derdhte edhe lot gjatë rrëfimit.

“Po du me tregu krejt situatën për çka jom ardhë. Nashta kom me derdhë lot pak a diçka...” - u shpreh ai.

Gazetari vazhdoi rrëfimin duke pretenduar se gazetarët kishin qenë cak që të ekzekutoheshin “një nga një”.

“...po atë ditë na jena kon cak për mu ekzekutu. Sot na nuk ishim këtu. Sot ju na kishit pru lule. Atë ditë na kemi qenë cak, gazetarët shqiptarë me u ekzekutu njo ka njo.” ­– thotë ai.

Sipas tij, klima armiqësore ndaj gazetarëve shqiptarë vërehej madje edhe nga gazetarët serbë që nuk rrinin me ta.

Khashoggi

Në rrëfimin e tij ai e solli edhe gazetarin e vrarë brenda ambasadës së Arabisë Saudite në Turqi, Jamal Khashoggin për ta mbështetur pretendimin se ata ishin planifikuar që të vriteshin.

Salihu thotë se një qytetar serb e kishte pyetur “a kishte vdekë gazetari Khashoggi në ambasadën e Arabisë Saudite në Turqi?” Më pas, i kishte thënë se në fakt ai nuk kishte vdekur në Turqi. Gazetar Salihu nënkuptoi se një gjë e tillë tregonte për planifikimin e lartpërmendur.

Por, armiqësia nuk nisej e as bitisej nga ana e qytetarëve të thjeshtë apo huliganëve serbë. Ai shprehet se ish-kryetari i Leposaviqit kishte dhënë urdhër që gazetarët shqiptarë të largoheshin nga një çadër dhe të (sic) përfundonin në shi.

Simiqi

Salihu akuzon edhe Sllavko Siqimin se kishte dhënë urdhrin “mëshojuni mediave”.

“...edhe aty nuk ka pasë ma kurrfarë rahmeti,” – shton ai.

Më pas, ai rrëfen për goditjet që kishte marrë, deri në momentin kur ishin avitur te njësia speciale e Policisë së Kosovës.

“A keni zot, a muni me na nimu se dojnë me na mytë?” – shprehet ai, t’i ketë thënë njësisë speciale të Policisë së Kosovës derisa ndodhte sulmi.

Më pas, filloi të qante përsëri.

Ai shprehet se policët e njësisë speciale janë “heroj” duke thënë që kur i kishin parë huliganët serbë këta të fundit ishin tërhequr.

Raportimi i gazetarëve po vazhdon ende.

Kujtojmë që emrat e përmendur nga Lista Serbe prej z. Salihu tashmë kanë paralajmëruar padi për shpifje ndaj tij.

Lajme të ngjashme