“Nuk i trajtuan si duhet disa të rinj”, PK demanton lajmet në mediat serbe: Paraqesin situatë jo reale
Policia e Kosovës ka demantuar shkrimet tendencioze dhe të pavërteta të publikuara në disa mediume, kryesisht serbe, të cilat i referohen zyrës serbe për Kosovë, dhe që paraqesin një situatë jo reale, duke pretenduar se Policia e Kosovës nuk i ka trajtuar dhe nuk janë sjellë si duhet ndaj disa të rinjve/fëmijëve serbë në komunën e Leposaviqit.
Sipas njoftimit të PK, njësia policore e rendit dhe reagimit të shpejtë në DRP Mitrovicë Veri, gjatë realizimit të detyrave të rregullta policore, ka reaguar në një rast të prishjes së rendit dhe qetësisë publike te një kafiteri, ku ndaj dy personave është shqiptuar gjobë për prishje të rendit publik.
“Vlen të theksohet se Policia e Kosovës udhëhiqet nga parimet më demokratike dhe të gjitha masat dhe veprimet policore i ka ndërmarrë në funksion të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim.
Andaj, deklarimet e tilla tendencioze nuk iu shërbejnë qytetarëve e as sigurisë publike, pasi veprimet policore janë mbështetur në procedurat e parapara ligjore përfshirë atë të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike. Për informacione zyrtare, ftojmë mediat dhe të gjitha palët që t'i referohen informacioneve zyrtare të Policisë së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.