S'i zë besë as kryetarit e as qeverisë, drejtori i VV-së në Gjilan thotë se autostrada nuk përfundon deri ka mesi i 2024-ës
“Autostrada Gjilan-Prishtinë hapet këtë vit”.
Ky ishte një konstatim i prerë dhe i dhënë për të mirëqenë bashkërisht nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni në korrik të këtij vitit, teksa kishin dalur për të parë nga afër punimet në këtë rrugë.
Çfarë është më e rëndësishmja; e që u tha nga të dy, ishte se kjo autostradë do të përfundojnë brenda këtij vitit.
Por assesi njëjtë s'mendon drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Mentor Mihovci.
Ky i fundit ka një trajektore krejt tjetër kohore të realizimit të autostradës.
Më 21 korrik 2023, i pari ekzekutivit, Albin Kurti i shoqëruar nga zëvendës-ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi vëzhgonin prej së afërmi punimet në zhvillim e sipër në autostradën që lidh Prishtinën me Gjilanin.
Pas vizitës, Kurti kishte shkruar edhe në profilin e tij zyrtar në Facebook, duke thënë se kjo autostradë do të hapet këtë vit, dhe i njëjti kishte uruar për këtë gjë.
“Autostrada Prishtinë—Gjilan po bëhet. Ajo hapet këtë vit. Urime! Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan. Qeveria për Komunat.” – ishte shkrimi i publikuar nga Kurti.
Gjatë kësaj vizite i pranishëm ishte edhe kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, i cili po ashtu kishte shkruar në Facebook-un e tij, duke thënë se Autostrada Gjilan-Prishtinë po hapet këtë vit, madje kishte shtuar se janë kryer 70% e punimeve.
“Autostrada Gjilan—Prishtinë po hapet këtë vit. 70% e punimeve kanë përfunduar! I shoqëruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, vizituam punimet të cilat po realizohen në tre llotet e autostradës Gjilan—Prishtinë. Gjatë vizitës në llotin e parë me gjatësi mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, pamë nga afër punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të dytë dhe llotit të tretë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që gjithashtu të kenë qasje.” – kishte shkruar Hyseni.
Sidoqoftë, tregimin premtues për realizim brenda viti si Kurti dhe Hyseni, nuk e argëton edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Mentor Mihovci.
Mihovci sot në mbledhjen e asamblesë komunale është pyetur për përfundimin e kësaj autostrade, ku ka thënë se në bazë të punimeve, autostrada nuk do të përfundojë deri në mesin e vitit 2024.
“Sa i përket pyetjes se kur do të përfundojnë punimet në autostradën Gjilan – Prishtinë një datë e konfirmuar nga ministria është fundi i këtij viti edhe pse në bazë të dinamikës së punimeve, mendoj që data e saktë për përfundimin e kësaj autostrade është do të jetë ka mesi i vitit të ardhshme. Kjo është vlerësim i imi.” – ka thënë sot drejtori Mihovci.

