Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kosovë: Çka thonë familjarët e tij? - NACIONALE

Një muaj paraburgim për serbin e dyshuar për krime lufte në Kosovë: Çka thonë familjarët e tij?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër serbit Zlatan Arsiq, i dyshohet për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, teksa familjarët e tij kanë mohuar se ka qenë i përshfirë në krime dhe ndaj arrestimit të tij reagoi ministri Sveçla. Çka dihet deri më tani?

Zlatan Arsiqit i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Ai dyshohet për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovës gjatë luftë së fundit.

“Prishtinë, 08 mars 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ. Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Për çka dyshohet ai?

Prokuroria Speciale e Kosovës, ka njoftuar se 42-vjeçari, Zlatan Arsiq, gjatë periudhës së luftës, konkretisht në muajin mars 1999 në stacionin policor në Kamenicë, kishte rrahur një person me iniciale B.M “me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë.”

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më tej, në njoftimin e tyre, Arsiq dyshohet se po ashtu gjatë luftës “në periudhën shkurt-mars 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj ka filluara të bëjë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve, i’a ka vënë zjarrin, si dhe ka marr pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.”

“Me këto veprime i pandehuri Z.A., kishte për të kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Familjarët e mohojnë

Lidhur me këtë rast, familjarët e të dyshuarit kanë folur për Klan Kosova. Gruaja e tij Zorica ka mohuar se burri i saj ka qenë i përfshirë në krimet që rëndojnë mbi të.

Ajo ka thënë se burri i saj në atë kohë ka qënë i ri dhe se nuk është përfshirë në krime.

Po ashtu edhe prindërit e tij kanë mohuar akuzat duke thënë se i dyshuari ka qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi dhe se nuk ka marrë pjesë në aktivitetet të cilat rëndojnë ndaj tij.

Sipas tyre, ai ka punuar në si zyrtar policor në Policinë e Kosovës, ku edhe kishte marrë dekorata, teksa para tri viteve ishte suspenduar për shkak të përfshirjes në kontrabandë me kafshë.

Reagimi i Sveçlës

Për këtë rast ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim”.

Ai ka thënë se drejtësia është domosdoshmëri dhe e pashmangshme.

“Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht.”

“Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme.” – ka shkruar ndër të tjera ai.

Lajme të ngjashme