Një mësues palestinez u përpoq të ndihmonte një militant të plagosur, ushtria izraelite e vrau atë
Ushtria izraelite ka vrarë një mësues palestinez 57-vjeçar, i cili u përpoq t'i jepte ndihmën e parë një militanti të plagosur, sipas mjekëve dhe familjes së mësuesit. Jawad Bouaqneh, baba i gjashtë fëmijëve, u vra para shtëpisë së familjes së tij në kampin e refugjatëve Jenin. Vrasja ndodhi gjatë një bastisjeje të natës nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Vdekja e tij e çon numrin e palestinezëve të vrarë këtë muaj në 17, duke përfshirë civilë dhe militantë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se trupat e saj u vunë nën zjarr të fortë nga persona të armatosur palestinezë dhe u kundërpërgjigjën. Ata pretendojnë se janë në dijeni të një raporti se një civil është vrarë "në zonën e shkëmbimit të zjarrit" dhe se incidenti është "në shqyrtim".
Mësuesi u përpoq t'i afrohej të plagosurit
Djali i mësuesit Farid tha se ata dëgjuan një burrë, i cili më vonë doli se ishte një militant i plagosur për vdekje, duke bërë thirrje për ndihmë jashtë shtëpisë së tyre. Mësuesi doli për ta ndihmuar burrin, pra për t'i dhënë ndihmën e parë. “Ne e tërhoqëm zvarrë brenda dhe... ata qëlluan babanë tim në pjesën e sipërme të trupit dhe më pas e futa brenda sepse ishte i mbuluar me gjak”, tha Farid për Reuters.
Mjekët palestinezë konfirmuan se mësuesi dhe një mjek u përpoqën t'i afroheshin militantit të plagosur para shtëpisë. "Në atë moment, ushtarët izraelitë qëlluan me plumba mbi ta dhe plumbi goditi mësuesin në gjoks ndërsa ai po përpiqej të ndihmonte të plagosurit," i tha BBC -së Shoqata Palestineze e Ndihmës Mjekësore (PMRS).
Një ushtar izraelit u plagos lehtë gjatë bastisjes
Ministria palestineze e Shëndetësisë konfirmoi vdekjen e Adham Jabareen, 28 vjeç, i cili më vonë u identifikua nga Xhihadi Islamik Palestinez si një nga anëtarët e tij. Raportet lokale thonë se militanti i vrarë ishte komandanti lokal i grupit në Jenin. Pamjet e bastisjes së mëngjesit të sotëm tregojnë transportuesit e blinduar të personelit dhe një grup ushtarësh që hyjnë në Jenin, ndërsa pamjet e tjera tregojnë të shtëna me armë zjarri.
Mediat palestineze raportuan se snajperët izraelitë u vendosën në çatitë e disa shtëpive me pamje nga kampi, ndërsa një njësi e fshehtë izraelite hyri në një ndërtesë në hyrje të kampit dhe ndaloi banorët. /Nacionale/