Një gazetar vritet gjatë raportimit afër vendit ku kishte ndodhur një vrasje tjetër në ShBA - NACIONALE

Një gazetar vritet gjatë raportimit afër vendit ku kishte ndodhur një vrasje tjetër në ShBA

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një gazetar dhe një vajzë 9-vjeçare janë qëlluar për vdekje afër qytetit Orlando të Floridës, afër vendit të një vrasjeje tjetër, e cila kishte ndodhur disa orë paraprakisht.

Një gazetar tjetër dhe nëna e vajzës u qëlluan dhe u plagosën nga sulmuesi i njëjtë, i cili dyshohet edhe për vrasjen e mëhershme, tha policia amerikane.

Dy gazetarët e televizionit “Spectrum News 13” ishin duke raportuar për vrasjen e një gruaje në atë zonë në mëngjes, kur i dyshuari adoleshent u kthye në vendin e ngjarjes, sipas autoriteteve.

I dyshuari ishte i armatosur, kur u arrestua dhe nuk po bashkëpunonte me policinë, thanë hetuesit, raporton televizioni BBC.

Asnjëri nga tre të vrarët në dy sulmet e së mërkurës në Pine Hills, në perëndim të Orlandos, nuk janë identifikuar.

Në një konferencë për gazetarë, komandanti lokal i policisë, John Mina, tha se gazetarët ishin afër ose brenda veturës së tyre, e cila, sipas tij, nuk dukej si veturë e punës e televizionit, kur u sulmuan rreth orës 16 sipas kohës lokale.

Ai tha se gazetarët ishin duke raportuar për të shtënat që ndodhën më herët gjatë ditës, rreth orës 11 sipas kohës lokale, kur një grua në të njëzetat u qëllua për vdekje brenda një veture, ndërsa i dyshuari u kthye në vendin e krimit dhe hapi zjarr përsëri.

Pas sulmit ndaj gazetarëve, sulmuesi i dyshuar – Keith Moses, 19 vjeç – shkoi në një shtëpi dhe qëlloi një vajzë dhe nënën e saj, tha komandanti i policisë. Ai shtoi se nëna gjendet në spital në gjendje kritike.

Mina tha se është e mundshme që i dyshuari ka menduar se gazetarët ishin policë.

Lajme të ngjashme