Një fjalë e re ‘Thaçofobia’ – Frika prej Thaçit dhe një bote të re - NACIONALE

Një fjalë e re ‘Thaçofobia’ – Frika prej Thaçit dhe një bote të re

1 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Eprorët e EULEX-it mbase mund ta shfajësojnë veten me protokolle sigurie për të cilat nuk duhet lëshuar pe përballë ndjeshmërisë publike. Policë elitarë, armë të gjata e një perimetër i frikshëm sigurie për një vizitë pakminutëshe përballë një varri ku dhéu është vënë sipër pesë ditë më parë. Pse kjo? Prej Gjykatës Speciale në Hagë e deri të EULEX-i në Kosovë, seç ka një përpjekje për ta zezuar imazhin e njeriut me të cilin identifikohet lufta për çlirim dhe shpallja e mëvetësisë. Thaçofobia, si nocion që krijohet pashmangshëm në këso situata, mund të jetë përshkrimi për mobilizimin e strukturave brenda e jashtë vendit që i tremben dikujt që gëzon, më shumë se kushdo tjetër, besueshmëri te amerikanët.

Col Mehmeti

Në adresimet shpesh ambuige, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e kanë kaluar me një të rënë lapsi ngurrimin e tyre për të liruar përkohësisht ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Kështu, “siguria operacionale” është apostrofuar si një nga arsyet që vendimet për lirim duhet të pleqërohen me kujdes e shpesh të kenë përgjigjje me "jo".

Megjithatë, lejimi me një vonesë prej pesë ditësh pasi i vdiq babai ngre pyetje nëse po shpërdorohet vetë nocioni i “sigurisë operacionale”.

Pamjet filmike, teksa Thaçi vuri një kurorë lulesh pranë varrit të babait të tij, flasin për një Gjykatë Speciale që në emër të “sigurisë operacionale” shfaq pasiguri të plotë.

Pavarësisht se Misioni Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) e rezervon të drejtën për protokollet e veta të sigurisë, cilat janë disa nga arsyet që edhe një vizitë e thjeshtë kërkon sforcim të plotë me angazhim të një vargani makinash policore, pjesëtarë elitarë të policisë dhe armë të gjata?

Për një kundrues të jashtëm që nuk ka haber nga ato që po luhen në Kosovë, përshtypja e parë mund të jetë se bëhet fjalë për një profil alamet të rrezikshëm që nga çasti në çast mund të përvidhet nga duart e Policisë e të marrë arratinë.

Në këso raste pa çare bëhet edhe një krahasim mes praktikash dystandardëshe.

Në nëntor të 2014-s, Tribunali Penal për ish-Jugosllavinë në Hagë (ICTY) pati lejuar lejimin e përkohshëm të Vojsllav Sheshelit ashtu që të kthehej në Serbi për t’u trajtuar për kancer.

Ndër kushtet që kishte vënë Tribunali ishte që ai të shmangte çfarëdo kontakti me viktimat apo dëshmitarët dhe të kthehej në Hagë sapo të urdhërohej prej gjykatësve për një gjë të tillë.

Por, Shesheli haptas e kishte poshtëruar drejtësinë ndërkombëtare sepse, me të arritur në Beograd, ai kishte paralajmëruar se nuk do të kthehej dashtas në Hagë.

“Nuk do të jetë i lehtë arrestimi im”, kishte kërcënuar asokohe ish-kreu i Partisë Radikale.

Megjithëse edhe Ligji për themelimin e Gjykatës Speciale lë të hapur që, brenda nevojës, edhe një shtet i tretë të jetë dorëzan për lirim me kusht, cilat janë ato rrethana që kjo gjykatë po i merr si shtrënguese që të ketë një qasje të kësofarshme ndaj Thaçit?

Një nga interpretimet e mundshme është që ka njëfarë ringjallje të frikës nga çakërdisja e ekuilibrave politikë brenda vetit.

Kjo frikë – nëse i japim vetes liri për të sajuar fjalërenë ‘Thaçofobi’ – i mëshon një skenari hipotetik ku rikthimi i Thaçit në politikë dhe një afrimitet i tij me administratën e Trumpit do ta anashnxirrte përfundimisht Vetëvendosjen dhe Kurtin.

Në kushtet kur Lëvizja Vetëvendosje ka vramendje ekzistenciale nëse ia vlen barra qiranë të jetë për herë të tretë në qeveri, cilado paraqitje e ish-presidentit mund të duket sfiduese.

Rrëfimi fjalëpak për Thaçin: Ai e përgënjeshtroi secilin

Ashtu siç e kishte thënë dikur Henry H. Perritt, pavarësia e Kosovës ishte rrjedhojë e politikave të Fuqive të Mëdha, por edhe rrjedhojë e vetëndihmës (self-help), duke aluduar te ai grusht i njerëzve që filluan rravgimin e madh për pavarësi përmes luftës guerile.

Siç e thotë vetë Perritt te libri i tij “Rruga te Pavarësia e Kosovës: Kronikë e Planit të Ahtisaarit”, Thaçi i kishte provuar gabim krejt ata që e kishin përçmuar.

“Thaçi ka nevojë të shkojë në shkollë”, kishte thënë me një përbuzje të thekshme Veton Surroi në fund të vitit 1999, duke e mohuar kapacitetin e tij për udhëheqje në politikë.

Sipas Perrittit, Thaçi krijoi një parti politike që u bë më e suksesshmja para pavarësisë.

Ai, njashtu, krijoi një opozitë të fortë parlamentare për periudhën 2004-2007 sa kohë LDK dhe AAK kishin krijuar një koalicion qeverisës.

“Gjatë fushatës zgjedhore të 2007-s, ai e përshfaqi para zgjedhësve një fytyrë besimplotë si për partinë ashtu edhe për veten si kryeministër i mundshëm. Duke filluar nga fushata e 2004-s, ai u mbështet në përpjekjet që ta shpaloste partinë e tij përmes teknikave të fushatave me stil amerikan: duke e paraqitur fytyrën e tij ende rioshe e të hijshme në billboard, duke vizituar shkolla, shtëpi e biznese me një ekip kamerash, e duke shfrytëzuar mirë konsulentë fushatash nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Austria. Thaçi e forcoi PDK-në, duke bërë për vete edhe disa parti të vogla, e duke shtuar edhe fytyra të reja, përfshirë edhe një nga këngëtarët më të famshëm të repit në Kosovë, njëzeteshtatëvjeçarin Memli Krasniqi”, shkruan Perritt.

“Tani, si kryeministër, ai ka diplomuar në pozitën e udhëheqësit kryeministror në Kosovën e paspavarësisë. Trashëgimia e tij do të varet nga suksesi i tij në trajtimin e një numri sprovash në drejtimin e Kosovës në një rrugë të mbarë të paspavarësisë, e duke e shmangur të qenët një shtet i dështuar. Ai ia doli mbanë të punojë me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara për të fituar pavarësinë. Tani ai duhet të tregojë se di të qeverisë më mirë se koalicioni paraprak. Ai e nisi mbarë, duke imponuar diciplinë në një qeveri që nuk ka pasur histori disipline”.

Thaçi – Një sens i qëllimit

Për shumë nga këto vlerësime, Perrett në librin e tij e referon në skajshënim (fusnotë) një raport të Grupit Ndërkombëtar të Krizave me titull “Trancizioni i brishtë i Kosovës”, që pa dritën e botimit në shtator të vitit 2008.

Në këtë raport nuk mungojnë vlerësimet pozitive për Thaçin në mandatin e tij si kryeministër.

Në të thuhej se kryeministri Thaçi dhe qarku i ngushtë i njerëzve rreth tij ishin të vendosur që të ushtronin kontroll nga lart-poshtë, ndryshe prej qeverive të mëhershme të koalicioneve ku një kryeministër rrinte pafuqishëm mbi ministrat që e caktonin vetë agjendën.

“Mbi të gjitha, qeveria ka shpërfaqur një sens më të madh të qëllimit sesa pararendësja e saj dhe mbetet popullore…”, thuhej në këtë raport.

Këtë pohim për sa i përket popullaritetit, raporti në fjalë e mbështeste në një matje opinioni, të bërë në maj të 2008-s, ku rejtingu për kryeministrin Thaçi shkonte mbi 70 për qind, kurse për qeverinë 47 për qind.

Njëherë popullor, gjithnjë popullor

Në të vërtetë, koha gjatë dhe pas pavarësisë kishte njohur një rrokaqiellëzim të mbështetjes e popullarietit të Thaçit si kryeministër.

Simbas të dhënave të arkivuara të KQZ-së, Thaçi më 2007 ishte votuar nga 105,378 qytetarë të Republikës.

Zgjedhjet e radhës, ato më 2010, e kishin përfuqizuar atë duke qenë i votuar prej 160,850 qytetarëve.

Zgjedhjet e 2014-s, që shënojnë edhe fillimin e tërheqjes së tij nga politika, shënuan kulmin e popullaritetit të tij duke marrë 166,422 vota.

Nami i tij si politikan që bënte për vete mendjet dhe zemrat e njerëzve në Kosovë është dëshmuar edhe nga matje të tjera.

I dritësuar në nëntor të vitit 2018, një hulumtim i kryer prej ‘Kantar TNS’ kishte dhënë një tablo fort interesante të peshës së Thaçit si politikan për pjesën më të madhe të periudhës së pasluftës.

Duke e zhbiruar trendin e opinionit të popullatës për harkun kohor 2003-2018, Thaçi e kishte mbërritur zenithin e mbështetjes në periudhën shkurt-gusht të vitit 2006, duke qenë i mbështetur prej mbi 90 për qind të njerëzve në vend.

Ndonëse me pak rënie, popullariteti i tij vazhdoi të ishte 80 për qind edhe në shkurt të vitit 2007.

Kjo rritje ishte shtuar gjer në 85 për qind në periudhën qershor-nëntor 2008.

Pranueshmëria e Thaçit ishte relativisht e mirë edhe përtej Kosovës, gjithandej botës shqiptare.

Fjala vjen, sipas gjetjeve të barometrit për pëlqyeshmërinë e politikanëve të Kosovës në Republikën e Shqipërisë, Thaçi doli se pëlqehet nga 59,2 për qind e bashkëkombasve tanë.

Lajme të ngjashme