Ngjarjet kryesore të 18 marsit: Amerikanët takojnë Presidenten Osmani, konkursi për kryeprokuror drejt fundit
Kjo e premte në Kosovë u përshkrua me dy ngjarje. E para nga to ishte vizita e delegacionit amerikan dhe i kancelarit të Austrisë në Kosovë, të cilët u takuan me krerët e shtetit. Presidentja Osmani i takoi të dy delegacionet, ndërsa Kurti nuk u takua vetëm me kancelarin austriak. Ndërsa një ngjarje tjetër e rëndësishme ishte intervistimi i kandidatëve për kryeprokuror të shtetit.
Por, më 18 mars në sy ra edhe një deklaratë e kryeminsitrit Kurti në lidhje me votimet serbe në Kosovë, e cila u interpretua si zbutje e shefit të ekzekutivit karshi kërkesave ndërkombëtare. E natyrisht, nuk munguan as komentet rreth projekt kodit civil, ndonëse kanë kaluar 2 ditë që kur Kuvendi e hodhi poshtë këtë nismë ligjore që njihte bashkësitë civile të seksit të njëjtë.
Dita në fakt nisi me një debat në lidhje me akuzat e Rusisë për trafikim organesh ndaj Ukrainës, e cila ngjalli kujtimet në lidhje me akuzat serbe ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së. Pjesë e këtij debati u bë edhe ish-emisari i presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai shkroi se gjykatat ndërkombëtare të drejtësisë vazhdimisht bien pre e propagandës ku pretendohet trafikimi i organeve në periudhat ku vendet pësojnë luftë.
E dikur kah mesditja, kryeministri Kurti bëri një postim jo fort të zakonshëm në profilin e tij në Facebook. Ai e kujtoi policin ukrainas të UNMIK, i cili vdiq në detyrë 14 vjet më parë. I pazakontë kur merret në konsideratë raportin e tij aspak të mirë me UNMIK-un, të cilin mision e quante dikur kolonizator. Teksa përkujtonte policin ukrainas, të rënë në Kosovë si pasojë e protestave të strukturave ilegale të Serbisë, Kurti uron që familja e të ndjerit të jenë mirë, pas invazionit rus në Ukrainë.
Pesë kandidatët që synojnë pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, kanë përfunduar intervisata e tyre para komisionit vlerësues të KPK-së. E renditja u publikua nga KPK dikur kah orët e para të mbrëmjes, ndërsa Gazeta Nacionale ekskluzivisht solli pikët e secilit kandidat për lexuesit e saj. Blerim Isufaj u rendit i pari dhe emri i tij do të shkojë për votim në Këshillin Prokurorial të Kosovës. Nëse kalon këtë fazë, emri i Isufajt do të shkojë për dekretim tek presidentja Osmani.
Në drejtësi, përveç intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror, u dha lajmi se i akuzuari për vrasjen në AKI, që ndodhi katër vjet më parë, është dënuar me 25 vjet burg. E familja e të ndjerit tashmë ka pohuar se do të padisë shtetin e Kosovës duke i kërkuar 1.2 milionë euro dëmshpërblim.
Sektori i sigurisë e prodhoi edhe një lajm të rëndësishëm këtë të premte. Gjykata e Apelit ka rikthyer në zero rastin e Telekomit me kompaninë Daradafon (Z Mobile), në të cilin gjiganti publik detyrohej t'i paguante kompanisë private 24 milionë euro.
Një lajm interesant erdhi nga shefi i ekzekutivit dikah rreth urës 16:00. Ai paralajmëroi se 2022-ta do të shënojë vitin kur Kosova do të aplikojë për BE, derisa kërkoi njohjen e pavarësisë së vendit nga pesëshja evropiane, e cila ende nuk e pranon realitetin e 17 shkurtit.
Delegacioni amerikan këtë të premte i shkoi për vizitë presidentes Osmani. E kjo e fundit e priti edhe kancelarin austriak. Pas takimit, Presidenca njoftoi se i ka kërkuar të parit të Austrisë mbështetjen për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, me ceremoni shtetërore.
Në një konferencë të përbashkët për medie me kancelarin austriak Karl Nehammer, Kurti ka thënë se Austria mund të ndihmojë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Ndërsa kancelari austriak tha se Kosova duhet të jetë pjesë e BE-së.
Partia opozitare PDK njoftoi nëpërmjet Facebook se ka paditur ZRRE-në për shkak të mospërfshirjes së komunave veriore në tarifat e reja të rrymës.
Në fund, nuk duhet të harrojmë edhe përplasjen ndërmjet Dimal Bashës e Duda Baljes, deputetëve të pozitës në Kuvendin e Kosovës. Ata nga distanca ‘sulmuan’ njëri-tjetrin pas qëndrimeve të kundërta rreth projekt kodit civil.