"Ngjallen" ndërkombëtarët: ShBA-ja ua jep nga një "flakaresh” PDK-së e LDK-së, ambasadorët e vizitojnë Osmanin - NACIONALE

"Ngjallen" ndërkombëtarët: ShBA-ja ua jep nga një "flakaresh” PDK-së e LDK-së, ambasadorët e vizitojnë Osmanin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

E hëna e 6 marsit u karakterizua me ceremonitë që shënojnë Epopenë e UÇK-së, ashtu siç njihet rezistenca e familjes Jashari. Përveç kësaj, në pjesën politike, kjo ditë u shënua edhe me një reagim relativisht të ashpër të ShBA-së kundrejt opozitës. Më saktësisht, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë, përmes një deklarate për media, e kritikoi opozitën për kundërshtimin e saj ndaj marrëveshjes evropiane.

Ndërsa, ambasadorët e Quint-it, pra ai britanik, francez, gjerman, Italian dhe përfaqësuesja amerikane, i shkuan në zyrë presidentes Vjosa Osmani, me të cilën biseduan në lidhje me zhvillimet fundit në dialog.

Disa orë pasi ShBA-ja e kritikoi opozitën, Avdullah Hoti, deputet i LDK-së, shkroi në profilin e tij se kjo parti nuk është kundër partnerëve ndërkombëtare, por kundër mashtrimit.

Çka ndodhi sot?

Sot ndodhi krejt një gjë e paparitur. Këtë të hane, Ambasada e ShBA-së në Prishtinë e kritikoi PDK-në e LDK-në për shkak të rreshtimit të tyre kundër marrëveshjes evropiane. Këto qëndrime të PDK-së e LDK-së duket se ka shqetësuar ShBA-të, ambasada e së cilës ka deklaruar se qëndrimet e dy partive më të mëdha opozitare të Kosovës, nuk përputhen me qëndrimet e tyre.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së.” – u shpreh një zëdhënëse e ambasadës amerikane në Prishtinë, transmeton Reporteri.

“Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-ve për propozimin,” – thuhet më tej në këtë reagim.

E në një përgjigje për Klan Kosovën, ShBA-ja e vazhdoi edhe më tutje të qartësojë qëndrimin e saj. Ambasada amerikane në Prishtinë deklaroi se marrëveshjen evropiane e përkrahin edhe presidenti Biden e sekretari Blinken, pasi ky propozim do ta dërgojë Kosovën drejt stabilitetit, prosporitetit ekonomik e integrimit euroatlantik.

“Në nivelet më të larta të qeverisë, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë këtë mbështetje. Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë shumë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik” thuhet në përgjigjjen e ambasadës.

Ndërsa, presidentja Vjosa Osmani sot i priti në zyrën e saj në Presidencë ambasadorët e vendeve të Quint-it në Kosovë, pra ambasadorët e Britanisë, Gjermanisë, Italisë e Francës, ndërsa ai i ShBA-së ka munguar. Në vend të ambasadorit të ShBA-së, në takim ishte zëvendës shefja e misionit të ShBA-së, Alyson Grunder.

Në njoftimin e Presidencës së Kosovës theksohet se në takim janë diskutuar zhvillimet e fundit në vend, “përfshirë dialogun me Serbinë, hapat e mëtutjeshëm, si dhe koordinimin e vazhdueshëm të institucioneve të Republikës me aleatë”.

“Tutje, Presidentja Osmani potencoi se dakordimi rreth aneksit për zbatimin e marrëveshjes bazë duhet të ketë parasysh parimet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës rreth paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Presidentja Osmani po ashtu theksoi se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.” – thuhej ndër të tjera në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Ndërsa gjatë natës së 6 marsit, ka reaguar edhe z. Avdullah Hoti, ish-kryeminsitër i Kosovës, i cili aktualisht është deputet i LDK-së. Reagimi i tij erdhi pas kritikave publike të ShBA-së për partinë e tij. Sipas Hotit, LDK-ja nuk është kundër partnerëve, por kundër mashtrimit.

“LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës.

Forca politike që udhëheq me vendin i ka mashtruar qytetarët për 15 vite, sepse:

- e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë;

- e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që ka trasuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës;

- e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e cila e ka sjellë njohjen nga Izraeli dhe përfitime të tjera” – shkroi z. Hoti.

Tutje, ai shkroi se LDK-ja është për shtetin e Kosovës.

“LDK-ja është kundër mashtrimit.

LDK-ja është për shtetin e Kosovës.

LDK-ja është për ruajtje të partneritetit me miqtë.” - theksoi ai.

Lajme të ngjashme