Sot seanca për betimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut: Çka dihet deri tash? - NACIONALE

Sot seanca për betimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut: Çka dihet deri tash?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këtë të premte do të mbahet seanca për betimin e kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Deri sa autoritetet kosovare kanë bërë të ditur se kjo seancë do të mbahet në objektin e kësaj komune, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kërkoi që të mos përdoret forca gjatë përpjekjes së kryetarëve të rinj për të hyrë në ndërtesat e katër komunave në veri. Çfarë ndodhi?

ShBA

Ambasadori amerikan në një takim me kryeministrin Kurti, u ka kërkuar institucioneve të Kosovës të mos përdoret forca për të pasur qasje në ndërtesat e komunave të cilat mund të mos jenë të qasshme..

“Ne presim që kryetarët të luajnë një rol teknik dhe jo politik dhe të marrin veprime që nuk shihen si eskalim i situatës, ne presim mbështetjen e Qeverisë në këtë drejtim. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë për shembull që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë të qasshme në këtë kohë”, ka thënë Hovenier.

Ndërsa, dje Hovenier në një intervistë për Telegrafin, tha se kryetarët e rinj të komunave në veri duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të dëshirueshëm.

“Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur. Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori.

E, Hovenier kishte një mesazh të qartë edhe për ata që tentojnë t’i bllokojnë zyrtarët e sapozgjedhur në kryerjen e përgjegjësive të tyre.

“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, tha ambasadori amerikan.

Kosova

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar në telefon me Këshilltarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, një ditë përpara seancës konstituive të betimit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut

“Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Serbia

Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, sot ka kërkuar nga serbët e Kosovës që ta ruajnë paqen, kur do të mbahet seanca e betimit nga katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës.

Vuçiq para gazetarëve në Novi Sad, ka thënë se në komunat në vëri po zgjedhen kryetarë të rremë me ndihmen e vendeve të QUINT-it

“Nesër do të mbahet. Ata do të tentojnë të mbajnë seanca konstituive në ndërtesën në veri të Mitrovicës, për tri komuna, dhe të zgjedhin kryetarë të rremë, me mbështetje të QUINT-it, të zgjedhur në zgjedhje të rreme”, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ndërsa, ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq ka thënë se kryeministri i Kurti po përgatit aksione për t’i marrë me forcë katër komunat në veri.

“Fatkeqësisht, shumë njerëz e shfrytëzojnë fatkeqësinë tonë për ta rritur presionin ndaj nesh apo për ta arritur qëllimin e tyre – që Kosova të jetë shtet i pavarur. Kurti vazhdon të përgatisë aksione për t’i marrë fizikisht këto katër komuna në veri të Kosovës dhe nuk është shumë i tronditur nga ngjarja jonë tragjike, sepse ai e sheh atë si një vrull që i jep njëfarë avantazhi, sepse këtu jemi përsëri të përçarë”, tha Vuçeviq në TV Pink.

Serbët e Kosovës

Javën ë kaluar, policia e Kosovës ka arrestuar dy qytetarë serbë në Zveçan, pasi të njëjtit pas mesnatës po saldonin hekura për ta pamundësuar hyrjen në objektin e komunës së Zveçanit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka bërë të ditur se me këtë rast kanë sekuestruar edhe një veturë.

“Kemi marrë informacionin që diku pas orës 1 pas mesnatës, dy persona kanë nisur të saldonin hekura në objektin e Komunës në Zveçan. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, i ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar një automjet”, ka thënë ai.

KFOR-i

KFOR-I ka paralajmëruar se do ta monitorojë situatën deri sa të mbahet seanca e betimit.

“Me rastin e betimit të kryetarit të Mitrovicës dhe situatës në përgjithësi, sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tyre për t’u ballafaquar me çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efikase”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të KFOR-it për Insajderin

Lajme të ngjashme