Nesër, nënshkrimi i aplikimit për anëtarësim të Kosovës në BE
Nesër në ora 11:00 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Kështu ka njoftuar Presidenca përmes një komunikate dërguar mediave. Sipas së njëjtës, bëhet e ditur që të pranishëm do të jenë krerët më të lartë shtetërorë, me në krye Vjosa Osmanin, kryeministrin Albin Kurti dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
“Pas ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani, Kryetari i Kuvendit Konjufca dhe Kryeministri Kurti do të kenë deklaratë për media. Vendi: Kabineti i Presidentes”.
Ishte vet shef i ekzekutivit që në mbledhjen e qeverisë deklaroi se tash e një vit kanë filluar përgatitjet për këtë aplikim. Megjithatë, ai nguroi ta tregojë datën, duke thënë se aplikimi do të ndodhë këtë javë.
Përveç kësaj, Kurti shtoi se nga vendet e rajonit, Kosova është më e përgatitura për këtë gjë.
“Para 1 vitit bëmë të ditur se këtë vit do të aplikojmë, sot po e bëjmë të ditur se aplikimin do ta bëjmë këtë javë. Ka ardhur koha që statusin potencial për kandidat, ta kthejmë në status kandidat, duke kaluar në një fazë të re me BE-në” – u shpreh Kurti.Kreu i ekzekutivit tha se krahasuar me shtetet e rajonit, Kosova është më e përgatitura.
Kjo është në përputhje me aspiratat e popullit tonë, para 1 jave në samitin e Tiranës, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit, kjo është përgjigje direkte. Krahasuar me shtete e rajonit kur ato kanë aplikuar Kosova është më e përgatitura, BE është vend i paqes sigurisë, barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin aty”- shtoi ai.
Pesimizmi
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, tash e një javë më parë, në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Muhamet Koci, ka thënë se këtë veprim qeveria po e ndërmerr për interes të saj politike.
“Nuk ka të bëj me momentin e duhur, por duhet kuptuar reformat e politikave publike që i ndërmerr një shtetet para se të aplikojë. Ato janë reformat socioekonomike, administrative, ligjore e kështu me radhë. Ne jemi larg atyre çështjeve. Sidoqoftë, mendoj se është më shumë vendim politik për konsum të brendshëm dhe është një provokim që Kosova po i bënë BE-së, se gjeja ne po duam të jemi afër vlerave te BE-së, por tash varet nga ju se si po reagoni”, ka thënë Arifi.
Duke treguar procedurat e procesit për aplikimit, ai ka thënë se problem do të jetë Këshilli i BE-së.
“Neni 2 dhe neni 49 i traktit te Lisbonës thotë se çdo shtet evropian që promovon vlerat e BE-së mund ta bëj kërkesë për anëtarësim. Mirëpo, duhet kuptuar se mandej Këshilli e informon Parlamentin e BE-së dhe parlamentet kombëtare mbi këtë kërkesë. Pas miratimit në komision, i cili e bënë një verifikim dhe skenim të gjendjes, dhe pasi ta merr votimin në PE me shumicë apsolute, vendimi duhet të merret në Këshillin e BE-së me unanimitet të votave.
Kur flasin për unanimitet e gjithë kjo punë bije në baltë, sepse Kosovën nuk e kanë njohur 5 vendet anëtare”, ka thënë si, duke shtuar se edhe po t`i kishim këto njohje do të ishte problem. “Por edhe po ta kishim njohjen e tyre, për shkak të reformave që kemi ngecur në shumë fusha, besoj që do të jemi shumë të zbehtë në këtë çështje. Prandaj, këtë e shoh më shumë si veprim politik se sa që ka të bëj me përmbajtjen e aplikimit të Kosovës për në BE”, ka pohuar njohësi i integrimeve.

