“Nëse dëshironi”, "Një përpjekje": Erdogan sërish me kërkesa, si do t'i përgjigjet Kurti këtë herë? - NACIONALE

“Nëse dëshironi”, "Një përpjekje": Erdogan sërish me kërkesa, si do t'i përgjigjet Kurti këtë herë?

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë ditës së sotme është mirëpritur në Pallatin ‘Vahdettin’, në Stamboll, me “merhaba” e “welcome” nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, personi që dikur kryeministri jonë e quante autokrat.

Pas një takimi të gjatë, liderët mbajtën edhe një konferencë për shtyp, ku këtë herë, Erdogan ishte ai që pati një epitet për t’i vendosur Kurtit. Përderisa, kur fliste për popullin kosovar, Erdogan shprehej me “popull vëllazëror”, ai Kurtit iu drejtua me fjalën ‘mik’- jo me “vëlla”, siç e quante dikur ish-presidentin Hashim Thaçi, për të cilët dihet se kanë pasur raporte shumë të mira.

Megjithatë, presidenti turk duke rikujtuar se Turqia ishte ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës, tregoi mbështetje edhe për anëtarësimin e vendin tonë në NATO e BE, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Por ama, duket se Erdoganit do i jetë kujtuar koha kur Kurti kishte refuzuar gatishmërinë e tij për ndërmjetësim, pasi këtë radhë gatishmërisë së tij për mbështetje në këtë proces, ai ia shtoi edhe fjalën, “nëse dëshironi”.

Ne mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe presim që palët të shfaqin qasje paqësore dhe konstruktive. Turqia është e gatshme të ofrojë të gjithë mbështetjen e nevojshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, nëse dëshironi," – tha Erdogan.

Përderisa Erdogan vazhdoi të kujtojë afërsinë që ka pasur ndër vite me Kosovën e investimet e bëra në vendin tonë, që sipas tij kanë arritur vlerën prej 400 milionë eurosh, ai, duke shfaqur në një farë forme “pakënaqësi”, i kërkoi Kurtit “një përpjekje tjetër”, në luftë kundër aktiviteteve të FETO-s, në Kosovë.

“U konsultuam se çfarë mund të bëjmë në luftën kundër terrorizmit, i kërkova mikut tim të dashur që të bëjë një përpjekje tjetër në këtë drejtim për të rritur bashkëpunimin dhe solidaritetin tonë kundër aktiviteteve të FETO-s në Kosovë,”- tha Erdogan.

Por, ishte kjo kërkesa e tij që nuk mori një përgjigje nga kryeministri Kurti, i cili fjalën e tij në konferencë e nisi duke shkuar pas në histori e duke kujtuar Sami Frashërin e Hasan Prishtinën.

“Që nga Mesihu i Prishtinës, poeti i Prishtinës i shekullit të 16-të, e te Sami Frashëri e Hasan Prishtina, Stambolli ishte gravitim edhe për popullin tonë,”- ka thënë Kurti, ndërsa ka vazhduar të flasë më shumë për Sami Frashërin, duke thënë se ai është “ndër etërit e rilindjes kombëtare për popullin shqiptar", e "themeltar i intelektualizmit modern”, për popullin turk.

Duke shtuar se Stambolli ka nisur një pjesë të “zgjimit tonë kombëtar”, Kurti vazhdoi të flasë për marrëdhëniet mes dy vendeve, ku shfaqi edhe mirënjohjen e falënderimin e tij për Erdoganin, sikur kishte harruar kohën kur e kishte krahasuar atë më presidentin rus Vladimir Putin.

“Me zotin Erdogan sot në Stamboll biseduam për marrëdhënie miqësie. Biseduam edhe për bashkëpunim në aspektin ekonomik, tregtar dhe të sigurisë. Do të jemi gjithmonë mirënjohës për rolin që ka luajtur Turqia në NATO. Turqia gjithmonë na ka mbështetur, e falënderojmë Erdoganin,”- tha Kurti, ndërsa kujtoi se një nga qëllimet kryesore të Kosovës është krijimi i një mjedisi për të tërhequr investitorë të huaj.

Kujtojmë që marrëdhëniet Kurti-Erdogan, nuk kanë qenë më të mirat ndër vite. Perveç refuzimit që i pati bërë gatishmërisë së presidentit turk për ndërmjetësim në dialog me Serbinë, ai pati shkuar edhe më thellë duke përmenduar temën delikatë në Turqi, atë të trajtimit të kurdëve.

“Besoj se sjellja e tij ndaj kurdëve, pa takt, në njërën anë dhe këto pasojat tash të këtij puçit të dështuar me arrestime, përjashtime shumëshifrore gjithnjë e më shumë po e etabolojnë në atë pozitë (autokratit).” – thoshte Kurti atëkohë.

Nuk e dimë nëse mendimet e kryeministrit të Kosovës karshi presidentit turk tashmë kanë ndryshuar, megjithatë në takimin e sotëm me të, Kurti mund të jetë dukur gjithçka tjetër, veçse kritik i Erdoganit.

Lajme të ngjashme