N'saraj te Sulltani: Kurti "pajtohet" me Erdoganin, pasi e quajti autokrat dhe e "refuzoi" për dialogun me Serbinë
Albin Kurti, së paku sa ishte opozitar, nuk e kishte fshehur padurimin ndaj figurës së Rexhep Tajip Erdoganit, presidentit të tanishëm të Turqisë. Vite më parë në një fjalim në Kuvend, Kurti nuk kishte hezituar ta quante autokrat. Ndërsa kur erdhi në pushtet, ndonëse harroi fjalët e dikurshme, Kurti nuk ka arritur të krijonte një marrëdhënie as për së afërmi të mirë si ajo mes Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës dhe Erdoganit, të cilit e quanin njëri-tjetrin vëlla. Madje, ai e refuzoi edhe gatishmërinë e Erdoganit për të ndërmjetësuar mes Kosovës dhe Serbisë.
Por më 3 shkurt, z. Kurti do ta takojë z. Erdoganin, diku në Stamboll, afër Bosforit, e që do të jetë takimi i rrallë mes këtyre dy liderëve. Pas një ftohje të raporteve, tash Kurti do t’i shkojë në konak z. Erdoganit, saktësisht në orën 17:30 sipas kohës lokale. E sipas parashikimeve, në ora 20:00 do të mbahet një konferencë për media, që lë të nënkuptohet se takimi do të zgjatë 2 ore e 30 minuta.
Sipas uebfaqes se Presidences së Turqisë, kryeminsitri Kurti dhe Erdogan, pas takimit, do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për media. Ndërsa siç raportoi media turke “TRT Haber”, në takimin në Stamboll, do të diskutohen çështje të ndryshme në marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës. Në raportim theksohet se do të shqyrtohen edhe hapat që mund të ndërmerren për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, që kanë gëzuar marrëdhënie mira bilaterale.
“Gjatë takimit pritet po ashtu të shkëmbehen mendime për çështjet rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në Ballkan.” – shkruante gazeta turke, raporton Nacionale.
Në fakt, Kurti vite më parë nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Erdoganin. Gjatë një fjalimi në Kuvend, z. Kurti e kishte quajtur autoritar Erdoganin, duke e krahasuar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Madje, Kurti e kishte përmendur edhe punën e trajtimit të kurdëve, një temë delikate në Turqi.
“Besojë se sjellja e tij ndaj kurdëve, pa takt, në njërën anë dhe këto pasojat tash të këtij puçit të dështuar me arrestime, përjashtime shumëshifrore gjithnjë e më shumë po e etabolojnë në atë pozitë (autokratit).” - vlerësonte Kurti.
Ndërsa, ai kishte komentuar edhe deklaratat për “vëllazërinë” e popujve shqiptar e turk, epitete që i përdoret Thaçi, por edhe kryeministri Edi Rama.
“Unë besojë që ka vend edhe për partneritet edhe për aleancë me Turqinë. Kemi ca armiq të përbashkët në rrethinë. Mund të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, por më mirë do të ishte që kompanitë turke të vijnë në Kosovë dhe të investojnë në prodhim. E jo vetëm në asfalt ose në këto privatizimet e shpejta.” - deklaronte Kurti vite më parë.
E së fundmi, Kurti, në një gjuhë diplomatike e kishte refuzuar gatishmërinë e Erdoganit për të ndihmuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Podujeva, ku po qëndronte për vizitë, kryeministri Kurti, me gjuhë të maturuar, deklaronte se dialogu zhvillohet në Bruksel. Megjihatë, ai vlerësoi se ndihma e miqve është e mirëseardhur, duke theksuar se Turqia është një aleate e Kosovës.
“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur.” - deklaroi Kurti nga Llapi, shkruan Nacionale.
E mos ardhjen e Erdoganit në Kosovë, Kurti theksonte se vizita e presidentit të Turqisë lidhet më shumë me Bosnjën.
“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën.” - shtoi Kurti.
Nuk dihet nëse në takimin mbi 2 orësh, ashtu siç është planifikuar, do të diskutohet edhe çështja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, një pikë që e kishte çarë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë.

