Negociatat me Serbinë, e vetmja 'kartë' e mbetur e Kurtit si kryeministër
Kurti ka marrë pushtetin duke thënë që "dialogu" ishte prioriteti i "gjashtë a shtatë". Por, bash dialogu - për të cilin nuk ka legjitimitet - duket se po i shërben si 'shpëtim' prej qeverisjes katastrofale me prioritetet kryesore. Ai duhet të kthejë vëmendjen te problemet për të cilat është votuar që t'i zgjidhë, e të largohet nga problemet që s'është votuar t'i krijojë.
Nëse demokracinë e reduktojmë vetëm në aritmetikë, atëherë Albin Kurti ka legjitimitet të plotë për ta përfaqësuar Kosovën në Bruksel përballë Bashkimit Evropian dhe Serbisë. Ai ka fituar zgjedhjet e fundit me 50%. Por, demokracia nuk mund të reduktohet vetëm në numra. Demokracia kërkon llogaridhënie, transparencë dhe mbi të gjitha bindje politike. Prandaj, Kurti s’ka trohë legjitimiteti, ashtu siç nuk ka as vetë demokracia jonë e mbetur si një lojë e lodhtë teatri.
Kryeministri i Kosovës i ka shkelë krejt qëndrimet e tij kryesore për dialogun. Qëndrime të shprehura me fanatizëm, të përsëritura qindra e qindra herë. Qëndrime mbi të cilat ndërtoi platformën e tij politike, zuri vend në demokracinë tonë, zuri vend në ‘skemën e prodhimit’ duke marrë edhe ‘profesion’. Qëndrime për të cilat u votua dhe mori qindra paga nga buxheti i Kosovës. Qëndrime të cilat i rrinë ende si relikte të moçme në vetë emrin e partisë së tij personale (Vetëvendosje).
Demokracia e Kosovës sot në Bruksel nuk është më shumë se një grumbull numrash të mbledhur nga një moment i dhënë mashtrimi. Dhe, kryeministri i Kosovës nuk është më shumë se një qytetar tjetër që ka mashtruar për të marrë një vend pune.

Fati i Kosovës nuk mund të diskutohej nga disa prej liderëve të së kaluarës, që po ashtu ishin shquar për mungesë të transparencës e për rrena (Hashim Thaçi, por jo vetëm). Por, fati i Kosovës nuk mund të diskutohet as nga ‘lideri’ i tanishëm që plotëson çdo kriter për t’u cilësuar si politikan i rremë (meqë, mashtroi për të zënë vend në tregun e punës).
“Po bëj pranimin minimal të realitetit, për ndryshimin maksimal të tij,” – thoshte ky person në Kuvendin e Kosovës për të justifikuar ndryshimin rrënjësor të qëndrimeve të tij (pra, mashtrimet). Nuk mund të gjeni një fjali më idiote se kaq.
Por, edhe kjo fjali idiote kalon në demokracinë e një shoqërie që vazhdon të vuajë nga analfabetizmi funksional. E megjithatë, s’duhet të kalojë, ashtu siç nuk duhet të kalojë asnjë mashtrim e asnjë rrenë pa dhënë përgjegjësi e pa kërkuar falje.
Tash, ai po përmend edhe “marrëveshjen gjithëpërfshirëse” duke i dalë kundër qëndrimit të tij për “rishikim të të gjitha marrëveshjeve”. Pra, po i frikësohet “status quo”-së e po i frikësohet “luftës” derisa thotë edhe se “kur kërkon Amerika diçka, nuk pyes pse por sa!”
Por, kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk duhet të respektohet prej askujt. Ajo vjen – nëse vjen – nga lart-poshtë, prej një kryeministri që është bërë politikan jo për shkak të bindjeve por për shkak të shqetësimeve mbi fatin personal (nga një gjeneratë që me dembelizëm e frikë po hynte në një sistem të ri ekonomik me treg të lirë pune).
Sidoqoftë, ai nuk është dhe nuk mund të jetë legjitim sa i përket dialogut. Ai është legjitim - për aq sa është dhe ashtu qysh është – vetëm sa i përket punësimit dhe drejtësisë e në të cilat po dështon në mënyrë spektakolare.
Natyrisht, shpëtimi nga dështimi për t'u marrë me problemet e vendit për të cilat është votuar, tash e bën kryeministrin e Kosovës gjithnjë e më të dhënë pas "luftës" e pas "marrëveshjes gjithëpërfshirëse". Vetëm këto mund ta shpëtojnë nga ekspozimi i mospunës alarmante të tij.
E ky dështim po çon drejt gërryerjes së legjitimitetit të tij, e fatkeqësisht edhe drejt çintegrimit të vazhdueshëm të shoqërisë tonë. Pra, thelbi i legjitimitetit të mbetur të Albin Kurtit brenda Kosovës qëndron vetëm te keq-qeverisja e korrupsioni i liderëve të mëparshëm dhe mungesa e alternativave serioze nga pretendentët për liderë të ardhshëm. Por, në Bruksel ky lloj legjitimiteti nuk ka kurrfarë kuptimi.
Kosova duhet të ndërtojë një platformë serioze integrimi që do të ndryshonte rrethanat këtu ‘poshtë’. Ndryshe, çfarëdo marrëveshje e nënshkruar – sado ‘finale’ qoftë – do të mbetet e parespektuar meqë agjencinë reale politike e kanë dhe duhet ta kenë qytetarët e thjeshtë.
*Ky opinion jodomosdo përfaqëson qëndrimet redaktoriale të gazetës Nacionale