Në të njejtën konferencë Ministrja Haxhiu “tregon” se Prokuroria Speciale po e lufton VV-në e po i zbulon Krimet e Lufës - NACIONALE

Në të njejtën konferencë Ministrja Haxhiu “tregon” se Prokuroria Speciale po e lufton VV-në e po i zbulon Krimet e Lufës

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Në konferencën e së hënës Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu është ankuar, ka akuzuar e është krenuar me të njejtin institucion. Po, Haxhiu “ka ditur” të bëjë këtë. Nën “notat” triumfaliste Albulena Haxhiu kumtoi lajmin se “Kosova nuk dorëzohet” sepse i ka ngritur 67 aktakuza për Krime Lufte (aktakuza të ngritura nga Prokuroria Speciale), e në po të njejtën konferencë, po këta prokurorë të po të njejtin insitutcion i ka akuzuar se po e luftojnë Lëvizjen Vetëvendsje.

Qysh?

Nëse Prokuroria Speciale dëshiron të merr dëshminë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e Rezervave Shtetërore, duhet të shkojë në zyre të tij siç ka kërkuar, ka thënë fillimisht Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencë për media.

Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim, përkundrazi kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri që kërkesa e tyre të realizohet. Kabineti i kryeministri i ka propozuar tri data se kur mund të realizohet kjo kërkesë bazuar në agjendën e kryeministrit Kurti, dhe tashmë gjatë kësaj jave kanë mbetur dy data që kabineti i kryeministrit i ka propozuar Prokurorisë Speciale”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka vazhduar “t’i poshtëroj” prokurorët duke u shprehur me fjalët se “prokurorët që thuhet se janë të interesuar” referuar dëshmisë së shefit të saj Kurti.

Nuk ka asnjë arsye që prokurorët që thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, të refuzojnë kërkesën e kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duam të flasim”, është shprehur Haxhiu.

Kulmin Haxhiu e mbërriu kur i shpalli prokurorët e specialës si njerëz që e luftojnë dhe dëmtojnë LVV-në dhe qeverinë, madje duke e quajtur “punë të zakonshme” të tyre.

Nëse PS është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit, lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kabinetit Kurti. Prokuroria speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta bllokuar punën tonë, për ta dëmtuar LVV-në dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë”, tha ajo.

Por…

Ministrja Haxhiu “pa e ndalur frymën” tregoi se sa krenare është Kosova, që po heton e ndjek kriminelët e luftës. Madje ajo dha edhe shifrat: “nëbazë të të dhënave siguruar nga sistemi i drejtësisë Departamenti për Krime Lufte, tashmë janë 67 aktakuza të ngritura në 62 raste ndaj 174 personave nga të cilat 10 raste janë duke u gjykuar në mungesë dhe pritet që ky numër pritet të rritet në vazhdimësi. Duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës e as terroristët që kryejnë sulme terroriste në kohë të paqes ka qenë e rëndësishme të adresohet gjykimi në mungesë për krime lufte”, tha Haxhiu.

Në këtë konferencë Haxhiu ka vazhduar duke përmendur arritjet që janë bërë sa i përket drejtësisë tranzicionale dhe adresimit të krimeve të kryera në Kosovë.

Gjatë kësaj periudhe qeverisëse kemi ndërmarr veprime të shumta dhe janë bërë hapa të rëndësishëm për të ndërtuar themelet e një procesi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës që synon të zbardhë të vërtetën e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë si dhe të ofrojë drejtësi për viktimat. Në këtë drejtim për katër vite me radhe kemi punuar me përkushtim të plotë për të institucionalizuar kujtesën kolektive dhe për të siguruar që dëshmitë e krimeve të luftës të ruhen e të iu transmetohen brezave të ardhshëm”, tha ajo.

Kështu Haxhiu përmbylli konferencën për media duke akuzuar e lartësuar në të njejtën kohë punën e të njejtit institucion: Prokurorisë Speciale.

Lajme të ngjashme