“Në rrezik serioz”: Pse duhet të shqetësohemi për humbjet në Trust, çka thonë ekonomistët? - NACIONALE

“Në rrezik serioz”: Pse duhet të shqetësohemi për humbjet në Trust, çka thonë ekonomistët?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Çështja e humbjeve milioneshe në Fondin Pensional të Kurisimeve (Trust), po i trondit qytetarët në përgjithësi, por ekonomistët në veçanti. Edhe njohësit e fushës së ekonomisë dhe eskpertët e tregjeve financiare kanë shprehur shqetësim serioz sa i përket situatës në Trust. Për Mustafën e PDK-së, faji është te Qeveria dhe te Ministria e Financave.

36 milionë euro konsiderohen që janë humbje e Trustit. Kështu thonë të paktën zyrtarët e këtij institucioni. Megjithatë, humbjet konsiderohen që janë edhe më të mëdha. Mbi 160 milionë euro është shuma që raportohet se Trusti ka humbur si pasojë e rënies së tregjeve financiare.

Një problem tjetër, që po e përcjell Trustin, është edhe mungesa e bordit, pasi Qeveria Kurti deri më tani nuk i ka zgjedhur anëtarët e rinj të këtij organi.

“Në rrezik serioz”

Lidhur me këtë problem, për Nacionalen është deklaruar ish-kryetari i bordit të Trust-it, Ymer Havolli.

Havolli i ka thënë Nacionales se mungesa e bordit të Trusit është rrezik serioz për investimet e kursimeve pensionale.

Ai ka thënë se, duke e parë falimentimin e bankave, në Trust s’ka kush të merret me parandalimin e rrezikut për humbje.

Qëndrimi im rreth kesaj është i shkurtër: me zhagitje të konstituimit të bordit, po sillen në rrezik serioz investimet e Trustit. Tani aty s’ka kush merr vendime, situata është me rrezik potencial, kur po falimentojnë bankat” – ka thënë ai.

"Rruga përpara është shumë e vështirë"

Njohësi i tregjeve financiare, Emanuel Bajraj, ka shpejguar për Nacionalen se humbja e kursimeve pensionale ka ndodhur si pasojë e kolapsimit të bankave, si në ShBA dhe Zvicër, dhe rënies së tregjeve financiare në botë.

Mirëpo, për Trustin, ai ka thënë se duhet të ketë një strategji të re për mënyrën e mbledhjes së mjeteve dhe kthimit të mjeteve nga tregjet ku mund të ndihmohet ekonomia.

"Efekti gjithsesi se do të ndihej gjithandej indekseve pensionale, investimeve që për strukturë investuese i kanë bonot, si edhe indekset bankare. Ishte e pashmangshme që Trusti do të goditej, po ashtu. Por, megjithatë, nuk është nevoja të ketë panik, sepse akoma jemi në territorin e "Bear Market"-it dhe se stuhia e rënieve dhe humbjeve është e tillë që nganjëhërë ka javë që pozicionimi i stoqeve është pozitiv dhe javë të tjera, (kur) hapësira bëhet krejt negative. Unë mendoj që Trusti duhet të ketë një strategji të re për mënyrën se si i alokon investimet e kontribuesve kosovarë. Unë mendoj që, po ashtu, duhet të gjendet një mekanizëm i ri i distribuimit të kthimit që Trust-i e merr nga tregjet jashtë në mënyrë që të ndihmohet ekonomia e Kosovës për së brendshmi” – ka thënë ai.

Më tej, ai ka theksuar se ka shumë alternativa, teksa ka paralajmëruar se kohë e vështirë na pret.

Ka shumë alternativa, por lypsen vendime të vështira dhe strategji koherente në këtë drejtim. Stuhia e krizave me likuiditet dhe në përgjithësi, në financën globale, akoma nuk ka mbaruar dhe ne duhet të jemi te përgatitur për çdo eveniment. Rruga përpara është shumë e vështirë”– ka thënë ai.

Mustafa: Ka rrezik real që të vazhdojë kjo tendencë negative

Koordinatori i Departamentit për Financa i PDK-së, Arben Mustafa, në një deklarim për Nacionalen, e ka kritikuar Qeverinë Kurti për humbjet 160-milionëshe të Trust-it.

Ai ka thënë se, duke e parë situatën në tregjet financiare ndërkombëtare, ka gjasa që Trust-i të goditet përsëri.

Që nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani, vlerësohet se kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës të investuara nga Trusti kanë shënuar një humbje prej rreth 160 milionë eurosh. Marrë parasysh tendencat aktuale në tregjet financiare ndërkombëtare, të përkeqësuara edhe më tutje nga dështimi i disa bankave në SHBA, ka rrezik real që të vazhdojë kjo tendencë negative e kthimit në investimet e Trustit dhe kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës të pësojnë humbje edhe më të mëdha” – ka thënë ai.

Mustafa, gjithashtu, është shprehur i shqetësuar për mosemërimin e anëtarëve të rinj të bordit të Trusit, duke thënë se kjo situatë dhe mjetet e qytetarëve janë në mëshirë të fatit.

Përderisa, kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës po u bie vlera në vazhdimësi, Trusti është pa Bord Drejtues, që do të thotë se është pa organin kryesor vendimmarrës për investimin e kursimeve pensionale. Në një situatë si kjo, kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës janë lënë në mëshirë të fatit, sepse aktualisht në Trust nuk mund të merret asnjë vendim që ka të bëjë me investimin e tyre” – theksoi ai.

Më tej, Mustafa e ka fajësuar drejtpërdrejt Ministrinë e Financave, e cila, sipas tij, nuk po lëviz për t'i zgjedhur anëtarët e rinj të bordit.

Kjo situatë është krijuar si rezultat i papërgjegjësisë dhe paaftësisë së institucioneve të Kosovës për të zgjedhur anëtarët e rinj të Bordit Drejtues të Trustit, ku barra kryesore e këtij dështimi i bie ministrit të Financave. Ka muaj prej se është hapur konkursi për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Bordit Drejtues të këtij institucioni, ndërsa paneli intervistues, ku merr pjesë ministri i Financave, ende nuk i ka ftuar kandidatët as për intervistim” – ka nënvizuar ai për Nacionalen.

Lajme të ngjashme