VV-ja e godet ulët LDK-në me video: Deshën ta shkatërronin Trustin siç e bëri dikur Serbia
Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse në pushtet, vazhdimisht po publikon video, në të cilën kujdeset të tregojë narrativën e saj për situatën aktuale politike, por edhe të rikujtojë qëndrimet e saj për të kaluarën. Luftën nëpërmjet vidoeve, VV-ja e ka vazhduar edhe sot. Në një video mbi 3-minutëshe, LVV kësaj radhe ia ka kushtuar ekskluzivisht Lidhjes Demokratike të Kosovës.
VV-ja në videon e saj i ka “goditur” akademikët e LDK-së, duke theksuar se ata paraqitën ide të cilat nuk u shërbejnë qytetarëve të Kosovës. Në videon e titulluar “Ekonomia e LDK-së në shërbim të grupeve të interesit”, VV-ja e bën një krahasim aspak dinjitoz për partinë më të madhe në pushtet. Ajo e krahason LDK-në me Serbinë, kur flet për tërheqjen e 30% të Trustit.
“E dyta, ajo e tërheqjes së trustit, nuk ndihmon ata që kanë nevojë, dhe e shkatërron sistemin pensional që kemi. Njëherë na e shkatërroi Serbia, së dyti deshën ta shkatërrojnë doktorët e LDK-së” – theksohet në videon e postuar nga LVV-ja.
Tutje në videon e saj, Lëvizja Vetëvendosje ankohet për propozime populiste nga ana e LDK-së.
“Dhe e treta, ajo e uljes së tatimeve dhe e rritjes së pagave, një propozim që nuk ka sens, një populizëm i pastër që as nuk merr mundin të tregoj se ku të merren paratë. Në të tria rastet pra asnjë ide serioze për ekonominë.” – shtoi VV-ja.
Partia e Albin Kurtit, kryeministër i Kosovës, ka ritheksuar narrativën e saj për qeverisjet e LDK-së, duke shtuar në video se gjatë qeverisjes së LDK-së krejt çfarë është parë është varfërim i mëtejmë i qytetarëve.
“Të tria propozimet do të mirëkuptoheshin po të vinin nga një fizioterapeut si Kamishi, por jo nga këta doktora të ekonomisë. Por nuk pritet asgjë e mençur prej këtyre që kërkojnë vota nga qytetarët për të menduar për milionerët. I kemi parë në qeverisje: privatizim, stagnim, shtrenjtim, varfërim i mëtejmë i qytetarëve.” – vazhdon VV-ja në videon e saj.
Në vazhdim të videos, LVV-ja i thur lavde qeverisjes së saj, duke theksuar se nën qeverisjen e Kurtit ka ndryshuar kursi i ekonomisë.
Lufta me video...
Ndryshe, videoja për LDK-në nuk është e para që është publikuar nga ana e LVV-së. Muaj më parë, në një video të titulluar "Shkatërruesit e shtetit", Vetëvendosje i kishte përfshirë njëzet e nëntë personazhe (tridhjetë e tetë, numëruar edhe fiktivët). Përveç Kurtit, rol të mirë kanë edhe Besnik Bislimi, Hekuran Murati e Xhelal Sveçla.
Ndërsa, personazhet me rol të keq që paraqiten në video qenë më të shumtë në numër. Nga Hashim Thaçi te Fatmir Limaj, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Isa Mustafa, Agim Veliu, Lutfi Haziri, Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi, Rrahman Jasharaj, Ymer Ymeri, Bahri Hyseni (me zë) dhe Sami Lushtaku ishin personazhet negative të cilat i goditi VV-ja.
Përveç këtyre, për t’i dhënë dramaticitet videos, aty ka edhe role të tjera fiktive si psh ai i një personi fiktiv që merr ryshfet, një tjetër që jep ryshfet, një person që i prek paratë mbi një tavolinë. Katër persona të panjohur, që duket se do të bëjnë diçka të errët, ashtu sikurse "shkatërruesit e shtetit". Një person tjetër i errët. Dy persona që i shtrojnë duart. Por ekzistonte edhe një personazh tjetër, i vendosur në video, ndoshta pa dashje: Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Sigurisht, një video tjetër që ngjalli shumë reagime ishte videoja e titulluar "Çka ka çka s’ka këto 2 vite?" të cilën kritikët e cilësuan si "fashizëm politikë".
Në video, VV-ja fliste për vjedhjen e 2.1 milionë eurove gjatë Qeverisë Hoti, për të cilën tashmë ka një verdikt gjyqësor.
“Nuk ka më punësime familjare e partiake në borde të ndërmarrjeve publike.” – është shprehur Vetëvendosje në këtë video.
Megjithatë, e vërteta – siç shkruante Nacionale dhe e dëshmuar me dhjetëra raportime – qëndron ndryshe. Punësime familjare e partiake ka pasur nga të afërm të Qeverisë Kurti II vazhdimisht, e madje jo vetëm në borde të ndërmarrjeve publike.
Një tjetër pretendim i çuditshëm është edhe ai për Listën Serbe.
“Nuk ka më fuqi Lista Serbe për të kushtëzuar Qeverinë,” – thuhet aty. Por, jo më larg se para një muaji, pushteti i drejtuar nga Kurti e Osmani u detyrua që të tërhiqej nga zgjedhjet e 17 dhjetorit në katër komunat me shumicë serbe.

