Kjo është fitorja më e madhe e Albin Kurtit, qe pse - NACIONALE

Kjo është fitorja më e madhe e Albin Kurtit, qe pse

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një mik i imi, Ermal Sadiku, doli me një ofertë serioze. Tha që nëse Albin Kurti i ndal zgjedhjet serbe në Kosovë, ai do të shkonte të punonte një muaj falas në qeveri, duke e vënë veten në dispozicion edhe për shërbime bazike, si kafe, çaj, pastrim, etj. Unë këtë gjë nuk jam i gatshëm ta bëj, por megjithatë duhet ta pranoj që ndalimi i këtyre zgjedhjeve e meriton një kolumne pozitive.

Berat Buzhala

Një mik i imi, Ermal Sadiku, doli me një ofertë serioze. Tha që nëse Albin Kurti i ndal zgjedhjet serbe në Kosovë, ai do të shkonte të punonte një muaj falas në qeveri, duke e vënë veten në dispozicion edhe për shërbime bazike, si kafe, çaj, pastrim, etj.

Unë këtë gjë nuk jam i gatshëm ta bëj, se tek e fundit qeveria po e bën punën për të cilën edhe paguhet, por mëgjithatë duhet ta pranoj që ndalimi i këtyre zgjedhjeve e meriton një kolumne pozitive.

Pra, nëse Albin Kurti do të arrijë që t’i ndalë zgjedhjet serbe në Kosovë, pa pasoja të rënda në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë lirisht mund të konstatojmë se ky është suksesi më i madh i tij për një vit qeverisje.

Do të mund të konstatojmë që ky është një premtim i tij i mbajtur dhe i realizuar mjeshtërisht.

Nuk e di kush fshihet prapa, por gjetja e formulës për “një marrëveshje në mes të dy qeverive”, për t’u mbajtur zgjedhjet serbe, gjë që po hidhet poshtë si formulë nga Vuçiç, ishte një gjetje e bukur. Mohimi i këtij standardi nga diplomatët ndërkombëtarë do të ishte gjë e vështirë, prandaj duhet dhënë krediti atij që kishte dalë me këtë ide.

Personalisht, e kam thënë në të kaluarën e po e përseris prapë, në mes të lejimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe dëmtimit të raporteve me SHBA, unë do ta zgjidhja opsionin e parë. Do të ishte non-sense i llojit të vet që të përplaseshim me shtetin kryesor aleat për një palë zgjedhje serbe. Posaçërisht në kohën nëpër të cilën po kalon Evropa. Mirëpo, në mes të një shkëmbimi të lehtë polemikash me përfaqësuesit amerikanë dhe mohimit të organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, pa marrëveshje me qeverinë e Kosovës, do ta zgjidhja këtë të dytin.

Njëra prej pikave më të dobëta të të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës, në planin e brendshëm dhe të jashtëm, ka qënë raporti me Serbinë. Ose presioni ndërkombëtar ka qënë tepër i madh, e nuk kanë pasur alternativë tjetër, ose asnjë qeveri deri më tash nuk ka ditur t’i lexojë si duhet ndërkombëtarët, kur i kanë shtyrë për më shumë koncensione ndaj pakicës serbe.

Ndoshta ‘presioni’ ndërkombëtar nuk paska qënë aq serioz sa ka tingëlluar, ose ndoshta koha ka qenë më ndryshe. Sido që të këtë qenë e vërteta, lëvizja e guximshme e qeverisë Kurti, duke dalë me plan konkret, duke kërkuar që qeveria serbe t’i kërkojë qeverisë së Kosovës leje për këto zgjedhje, ishte dëshmi që në raport me Serbinë ka edhe rrugë të tjera, e jo vetëm PO ose JO, e në të kaluarën më shumë PO se JO.

Një fitore e tillë simbolike e qeverisë së Kosovës, nuk duhet të shërbejë si arsye për të shpallur fitore historike, e as si precedant që t’i thuhet lehtësisht JO kërkesave amerikane. Duhet të provohet t’i thuhet JO, kur në anën tonë ka argumente bindëse, sikur rasti i fundit, që Serbia të bënte një hap minimal, pranimin e ekzistencës së Qeverisë së Kosovës.

Asnjë ndërmjetësues nuk është aq irracional sa të mos e pranojë si valid qëndrimin e Kosovës për këtë çështje.

Kushdo që është në politikë, që një ditë ka ambicie për ta marrë pushtetin, duhet të mbajë shënime. Politika, as e jashtmja e as e brendshmja, nuk duhet të voziten në autopilot. Faktori njeri ka rëndësi, e kanë rëndësi edhe idetë.

Albin Kurti e mbushi 1 vit si kryeministër. Ka hapësirë të mjaftueshme për ta kritikuar, por në raport me Serbinë ka treguar që di ta luajë lojën më mirë se sa paraardhësit e tjerë.

Lajme të ngjashme