“Ne kemi kërkuar konfiskimin e lejes” – Avokati paralajmëron ankesë pasi Gjykata e dënoi me 200 euro Rozeta Hajdarin
Me 200 euro gjobë është dënuar ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Kjo për aksidentin që e shkaktoi vitin e kaluar, duke e goditur një vajzë të vogël. Ajo është obliguar gjithashtu të paguajë shpenzimet e procedurës në vlerë mbi 1 mijë euro.
Por, me gjobën prej 200 euroshe është i pakënaqur avokati i familjes së vajzës e cila ishte viktimë e aksidentit. Avokati Florim Shefqeti ka thënë për Nacionalen se ata kanë kërkuar që ministres Hajdari t’i konfiskohet patent-shoferi.
“Na kemi kërkuar me ia marrë patent-shoferin, normalisht në ankesën që kemi me drejtu e kemi pikën bazë. Sepse ajo ka thanë që instinktivisht ka reaguar, dhe mbi këto rrethana kemi kërkuar me ia marrë lejen sepse del që nuk e ka pasur kujdesin në kuptim të ndërmarrjes së veprimeve”, ka thënë Shefqeti.
Ai ka bërë të ditur se do të ankohen në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi, duke mos komentuar më shumë pasi nuk e ka parë vendimin.
Çfarë vendosi Gjykata Themelore në Prishtinë?
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 200 euro gjobë për ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdari
Kjo për shkak të aksidentit të vitit të kaluar ku ministrja e kishte aksidentuar një vajzë të mitur.
Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Prishtinë me një komunikatë për media.
“Prishtinë, 24 tetor 2023 - Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni i Kundërvajtjes në procedurën kundërvajtëse, ka vendosur lidhur me çështjen kundër të pandehurës R.H, për shkak të aksidentit në komunikacion të kundërvajtjes nga neni 53 paragrafi 1 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor e ndërlidhur me nenin 255 paragrafi 2 të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në bazë të nenit 55 paragrafi 2 dhe nenit 77, 86, 119, 124, 127 të Ligjit për Kundërvajtje, si dhe në bazë të nenit 289 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Repulikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
“Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, bëhet e ditur më tutje.
Rozeta Hajdari është obliguar që të paguajë edhe 100 euro për mendimin e ekspertit, dhe 900 euro për super-ekspertizën.
“E pandehura R.H obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko - ligjore të paguajë shumën prej 50 €. Nëse e pandehura nuk e kryen pagesën e gjobës në afatin e paraparë me ligj, si dhe shpenzimet e procedurës kundërvajtëse, në të kundërtën ekzekutimi do te bëhet sipas dispozitave të Ligjit të Procedurës Përmbarimore”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.
“Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pronësore – juridike udhëzohet në kontest civil. Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, Divizioni i Kundërvajtjes, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, përfundon komunikata.
Ndryshe, familja e vajzës së mitur vazhdimisht kishte pasur ankesa për trajtimin e këtij rasti.
Super-ekspertiza kishte gjetur se Hajdari nuk ka frenuar me kohë.
“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e aksidentit”, thuhet në super-ekspertizë.
Po ashtu sipas super-ekspertizës, ministrja Hajdari do duhej të ishte “më e kujdesshme” gjatë ngasjes së veturës në një zonë urbane dhe se ka frenuar me vonesë.
“Drejtuesja e automjetit duke lëvizur në zonë urbane është dashur të ketë kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë. Drejtuesja e automjetit ka reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.
Në anën tjetër, Hajdari duke u munduar të shfajësohet, pati dal sqarim në llogarinë e saj në Facebook, ku thoshte se nuk ishte ajo që goditi fëmijën, por e kundërta ishte e vërtetë.
“Fëmija u përplas me makinën time”, pati thënë ajo.

