“Ministrja frenoi me vonesë” – Çka thuhet në super-ekspertizën e aksidentit ku Rozeta Hajdari e aksidentoi një fëmijë?
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ishte bërë top-lajm muaj më parë. Jo vetëm me aksidentin që e shkaktoi duke e goditur një fëmijë, por edhe me arsyetimin. Kishte thënë se “fëmija u përplas në veturën e saj”.
Megjithatë, kështu nuk po thuhet në super-ekspertizën që është bërë nga ekspertët. Sipas tyre, ministrja Hajdari ka frenuar me vonesë.
Superekspertiza e aksidentit në të cilin ministrja Hajdari po gjykohet se e ka goditur me veturë një 9-vjecare në rrugën “Vicianum”, në Prishtinë, në prill të 2022-ës, konstatoi se ministrja Hajdari e shkaktoi aksidentin për shkak të mungesës së kujdesit dhe frenimit me vonesë.
Megjithëse ministrja po voziste me shpejtësi më të lartë sesa shpejtësia me të cilën do të mund të evitonte aksidentin, ekspertët e komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike e arsyetojnë ministren, duke konkluduar se shpejtësia e kufizuar në rrugën ku ndodhi aksidenti, është më e lartë sesa shpejtësia me të cilën do të shmangej ky aksident.
Madje, profesorët e UP-së, përgjegjës për këtë aksident lënë edhe këmbësoren 9-vjecare, raporton Kiks Kosova.
Ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike me rastin e realizimit të superekspertizës nuk e bënë ekzaminimin e gjendjes teknike të sistemit të frenimit të veturës së ministres.
Avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti tha se në njëfarë mënyre, kjo ekspertizë ka vërtetuar fajësinë e të pandehurës.
Tutje, Shefqeti ka thënë se vetëm tani është bërë edhe thirrja nga Gjykata për vazhdimin e seancave, duke qenë se seancat nuk janë mbajtur që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Avokati tha se “raste të tilla sikurse ky, ku fajtorë lihen fëmijët, nuk dimë të ketë ndodhur më herët”.
Më 10 prill të vitit të kaluar, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, kishte shkaktuar një aksident trafiku në Prishtinë.
Në aksident ishte përfshirë edhe një fëmijë, por që ajo thoshte se fëmija ishte përplasur për veturën e saj, duke dashur të heqë përgjegjësinë nga vetja.
“Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqësisht njëri nga ta u përplas në veturën time. Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit. Ndihem më e lehtësuar, që pas ekzaminimeve mjekësore, fëmija nuk pësoi lëndime të rënda dhe është kthyer në shtëpi”, kishte shkruar ajo.
Asaj në mbrojtje i kishte dalë edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke u kthyer në njëfarë eksperti të komunikacionit.
“Me keqardhjen time të thellë me atë çfarë ka ndodhur me aksidentin në të cilin është lënduar një fëmijë, unë nuk kam të tjera informacione përveç sqarimeve që i ka dhënë ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari dhe më duhet të them se i besoj. Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me ç’ka kam kuptuar nuk ka shenja të frenimit në asfalt, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi me tepër se ç'duhet. Policia e ka rastin, kamerat e marketit janë aty, besoj që gjithçka do të sqarohet shumë shpejt”, tha Kurti.
Rasti gjyqësor për këtë aksident është shtyrë e vonuar për shumë kohë, duke i bërë familjarët e fëmijës të dyshojnë se kjo ndërlidhet me ndikimin e mundshëm nga Hajdari në sistemin e drejtësisë.
