Kurti demanton policinë, thotë që nuk ka shenja në asfalt në rastin e Rozeta Hajdarit
Kryeministri Albin Kurti ka folur për aksidentin që e shkaktoi ministrja Rozeta Hajdari, ku u godit me veturë një 9-vjeçare. Ai e demantoi edhe Policinë e Kosovës, duke e bërë ekspertin e komunikacionit për këtë aksident.
Kurti tha se i beson plotësisht deklaratës së ministres, dhe duke e bërë ekspertin e komunikacionit, tha se në rrugë nuk ka pasë shenja të frenimit të vrullshëm, që sipas tij nënkupton që nuk ka pasë tejkalim të shpejtësisë nga ana e saj.
“Me keqardhjen time të thellë me atë çfarë ka ndodhur me aksidentin në të cilin është lënduar një fëmijë, unë nuk kam të tjera informacione përveç sqarimeve që i ka dhënë ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari dhe më duhet të them se i besoj. Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me ç’ka kam kuptuar nuk ka shenja të frenimit në asfalt, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi me tepër se ç'duhet. Policia e ka rastin, kamerat e marketit janë aty, besoj që gjithçka do të sqarohet shumë shpejt”, tha Kurti.
Në anë tjetër, Policia e Kosovës ka thënë se për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë ka ardhur deri te aksidenti.
“Me datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur ***. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur me ** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhet nga policia
Në anën tjetër, dëshmitarët në kushte të anonimitetit i thanë Nacionales së fëmija po kalonte rrugën në momentin kur është goditur me veturë nga ministrja. Po ashtu, Nacionale mësoi se fëmija ka qenë në dhimbje dhe është bartur brenda supermarketit aty pranë, menjëherë pasi ishte goditur, ku i është ofruar edhe ndihma e parë.
“I qitke ujë edhe ia ngjeshke këmbën, po këmba veç filloi të ënjtej”, thotë një prej dëshmitarëve që kishte parë skenën derisa vajzën nëntëvjeçare po e fusnin në supermarketin Meridian.
Dëshmitarja po ashtu tha se përgjatë gjithë kësaj, fëmija po bërtiste vazhdimisht dhe ishte në dhimbje, përderisa rreth saj ishin grumbulluar shumë persona të cilët po kërkonin që të dërgohej në spital.
Fëmija i aksidentuar është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, të cilët edhe janë prononcuar për Nacionale.
“Gjatë ditës së djeshme pacienti në fjalë është trajtuar tek ne. Nuk ka pasur lëndime serioze, vetëm një gërvishtje në këmbë. Pas ekzaminimit ai është liruar për në shtëpi”, ka deklaruar për Nacionale.com, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.
Ndërkohë, pas aksidenti, ministrja Hajdari bëri një reagim të çuditshëm, e edhe pse e filloi, duhet thënë, me "për hir të informimit të drejtë", veç i drejtë s’mund të ishte.
Ajo na tha se një fëmijë iu përplas asaj në veturë derisa po voziste, kështu duke u bërë rasti i parë që fëmijët përplasen me veturat gjatë lëvizjes së tyre.
"Për hir të informimit te drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas në veturën time...”, shkroi ajo ndër të tjera.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë është prononcuar dhe ka treguar se rasti është inicuar në procedurë të kundërvajtjes.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se pas informimit të prokurores kujdestare nga policia, bazuar në raportin mjekësor se, personi i mitur pasi ka pranuar tretman mjekësor është liruar në gjendje të mirë në shtëpi, konform dispozitave ligjore, rasti është iniciuar në procedurë të kundërvajtjes”, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.