“Në cilën parti ju përngjan?” – Totaj kritikon fushatat pa programe politike
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kritikuar partitë politike që, sipas tij, nuk kanë programe të qarta qeverisëse, duke thënë se ato e përqendrojnë fushatën në emocione, sulme ndaj kundërshtarëve dhe kultin e individit.
Përmes një reagimi publik, Totaj ka theksuar se partitë pa platforma të mirëfillta politike zakonisht fokusohen në nxjerrjen në pah të dështimeve dhe dobësive të rivalëve, në vend që të ofrojnë zgjidhje konkrete për qytetarët.
Sipas tij, këto subjekte mbështeten në karizmën e liderëve, slogane të përgjithshme si “ndryshim” apo “drejtësi”, si dhe në retorikë populiste që nuk shpjegon mënyrën e realizimit të premtimeve.
Totaj ka vlerësuar se në aspektin operacional, këto parti organizojnë tubime të mbushura me elemente emocionale, muzikë dhe fjalime motivuese, ndërsa investojnë në reklama negative që synojnë të krijojnë frikë ose zemërim ndaj kundërshtarëve politikë.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e programeve të shkruara krijon konfuzion te votuesit dhe vështirëson llogaridhënien e partive pas zgjedhjeve.
“Në cilën parti ju përngjan?”, ka pyetur Totaj në fund të reagimit të tij.