Ndryshimi i Kurtit, “veterani 60001” s’flet më për luftë por për normalitet
Kryeministri Albin Kurti është zbutur. Në deklarata, kuptohet. Nga paralajmërimet për luftë, në normalitet. Nga mundësia e lartë për luftë, në një gjuhë që parashikon gjendje normale më 1 shtator, data kur skadon shtyrja e zbatimit të reciprocitetit për targa e dokumente me Serbinë.
I gjithë ky kapërcim diskursiv është i shpejtë, shumë i shpejtë.
Gjatë javës së kaluar, kryeministri Kurti u bë temë e shumë medieve ndërkombëtare, pasi deklaroi se pontencialiteti për luftë mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë.
Në "La Repubblica", "Reuters", "Radio Evropa e Lirë", Kurti përsërit të njëjtin alarm.
“Episodi i parë, pasojë e idesë fashiste të pansllavizmit që Kremlini e ka, ishte Ukraina. Nëse kemi episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, ishte shprehur Kurti.
Kthimi në normalitet… me shpejtësi drite
Një gjuhë tjetër kishte sot Kurti në një intervistë për BBC në gjuhën serbe. Kurti ishte shumë më pak alarmues, gjersa gjuha e tij nuk ishte e ashpër krahasuar me intervistat e fillimgushtit të këtij viti.
Një kthim në normalitet, pas tensioneve të mëdha që Kurti i theksonte si prelud për luftë.
Megjithatë, përkundër gjuhes joalarmuese, shefi i ekzekutivit u shpreh i vendosur në zbatimin e reciprocitetit për targa dhe dokumente.
“1 shtatori do të jetë një ditë normale në pikat kufitare – ose do të nxjerrim dokumente hyrje-dalje, ose të dyja palët do t’i anulojnë”, tha Kurti në BCC-në në gjuhën serbe.
Madje, Kurti deklaroi se shpreson që tema e reciprocitetit do të diskutohet edhe në takimin e 18 gushtit në Bruksel, në “kontekstin e çështjeve aktuale”.
”Prishtina do të vazhdojë fushatën për ndërrimin e targave, Beogradi është i shqetësuar sepse mendon se njerëzit do ta pranojnë”, theksoi Kurti ndër të tjera.
Shefi i Qeverisë së Kosovës tregoi edhe një propozim që i kishte bërë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takimin në Brdo Brioni.
“Unë i thashë – njihni dokumentet e Kosovës dhe ai më tha se është e papranueshme sepse kështu do të njihej pavarësia. Edhe pse do të ishte mirë, i thashë që nuk është e vërtetë – Sllovakia, Greqia, Rumania, nuk e njohin pavarësinë, por i njohin dokumentet e Kosovës. Nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE, së pari është e rëndësishme t’u bashkohet atyre anëtarëve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, shtoi Kurti.
Lufta që duket se s’do të ndodhë
Veterani numër ‘60001’ i UÇK-së, Albin Kurti, javën e kaluar ishte bërë “yll” në media ndërkombëtare me deklaratën e tij për një luftë të re mes Kosovës e Serbisë.
Përveç në REL, Kurti për luftë foli edhe në Reuters.
“Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë ose tjetrën, por do të ishte tërësisht e papërgjegjshme që të përjashtohet mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, komentoi Kurti në Reuters.
Në intervistën për gazetën e njohur britanike, Kurti theksoi se mund të ketë një konflikt të ri, duke shtuar se Kosova është vigjilente, por jo e frikësuar.
“Ne nuk duhet ta përjashtojmë mundësinë që këto politika agresive të Beogradit të mund të kthehen në sulm kundër Kosovës në një mënyrë ose tjetër. Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”, citohet të ketë thënë Kurti në intervistë.
Tutje, Kurti theksoi se Kosova është e gatshme ta mbrojë sovranitetin e saj.
Të gjitha këto intervista, siç ka shkruar Nacionale, kanë bërë bujë në mediet më të mëdha e kredibile të botës.
Fjalët e shefit të qeverisë kosovare në intervistën me agjencinë e njohur Reuters, janë raportuar nga faqja amerikane e lajmeve, “US News”. Për intervistën e Kurtit me agjencinë britanike raportoi edhe gazeta e njohur izraelite, “Jerusalem Post”, rrjeti medial evropian i specializuar në politikat e BE-së, “Euroactiv”, “Politico“, “Bloomberg“.
Kujtojmë se Kurti do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq më 18 gusht (e enjte) dhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.




