Ndalimi i Sami Lushtakut: S’ka reagim nga kryetari e nënkryetarët e PDK-së, as nga Qeveria - NACIONALE

Ndalimi i Sami Lushtakut: S’ka reagim nga kryetari e nënkryetarët e PDK-së, as nga Qeveria

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në orët e vona të së premtes, nënkryetari i Skenderajt, njëherit kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në degën në këtë komunë, do të ndalohej nga EULEX-i. Ai do të lirohej një orë më vonë, por iu konfiskua telefoni. Pati reagime nga shumë analist e ish-ushtarë të UÇK-së, e edhe nga zyrtarë të partisë në fjalë – por jo nga nënkryetarët e saj apo nga Qeveria e Kosovës.

As kryetari Memli Krasniqi, e as nënkryetarët Vlora Çitaku e Uran Ismaili, nuk kanë reaguar për ndalimin e Sami Lushtakut nga Specialja.

Ndërkohë, figura të tjera në Partinë Demokratike të Kosovës, shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me një zhvillim të tillë.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi përmendi Qeverinë duke thënë se ka kërkuar duhet të kërkojë llogaridhënie, ndërsa ndalimin e Lushtakut e ka quajtur “persekutim”.

“A ka qeveri ky vend që kërkon llogaridhënje për persekutime të tilla ndaj atyre që as jetën nuk e kursyen për këtë liri e këtë ditë?! Përjetësisht krenar e mirënjohës ndaj luftës së drejtë të UÇK-së!” shkroi ajo.

Koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se kjo fushatë e përndjekjes shpërfaq dështimin e Gjykatës Speciale.

Ndërkohë, deputeti Ardian Katrati ka thënë se “me lajmin e ndalimit të Lushtakut, janë gëzuar jugonostalgjikët”.

“Këta " specialcat" deri diku i kuptoj se disi me shoë të lodhët duhet me i arsyetu rrogat e tyre... Ama JUGONOSTALGJIKËT - BIOLOGJIK mos u gëzoni se UÇK-ja është në çdo cep të këtij vendi, në çdo libër të historisë ku kanë me mësu fëmijët tuaj, në çdo milimetër...” shkroi ai.

Ndërkohë, deri në këto momente, nuk ka pasur reagim as nga Qeveria e Kosovës.

Ndryshe, pas lirimit të Lushtakut, shkurt para mediave mbrëmë ka folur avokati i tij, Artan Qerkini, i cili ka konfirmuar se nënkryetarit të PDK-së në Skenderaj, i është konfiskuar telefoni.

Qerkini para mediave deklaroi se Lushtakut i është cenuar privatësia, pasi i është marrë telefoni dhe nuk ka pasur ndonjë paralajmërim, pasi nuk ka statusin e personit të dyshuar.

“Njëjtë, si herave të kaluara, mendojmë se ky veprim bie ndesh me ligjin sepse edhe z.Lushtaku nuk e ka statusin e personit të dyshuar, përkundër këtij fakti, i është cënuar privatësia, i është marrë telefoni mobil, do të paraqesim të gjitha mjetet juridike në kohën dhe pranë organeve kompetenve të dhomave të specializuara. Nuk ka pasë paralajmërim për arrestim, dhe as urdhër për arrestim. Nuk është i dyshuar, thjeshtë i është marrë telefoni.” – deklaroi ai.

Vlen të theksohet se të enjten, u bastis edhe shtëpia e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Nacionale jozyrtarisht nga burime të afërta me zhvillimet, ka mësuar se Selimi dyshohet për pengim të drejtësisë.

Vlen të përmendet se Selimi, edhe pse zyrtarisht nuk është pjesë e PDK-së, u pa duke bërë homazhe në Prekaz bashkë me delegacionin e kësaj partie.

Për të njëjtën arsye, kishte pasur disa bastisje edhe vitin e kaluar.

Kujtojmë së në fundin e vitit të kaluar, Specialja pati zhvilluar një seri bastisjesh ndaj ish-këshilltarëve të presidentit Hashim Thaçi, si Blerim Shala dhe Artan Behrami.

Mënyra e tillë e bastisjeve, pati ngjallë shumë reagime në opinionin publik.

Para pesë muajsh, OVL e UÇK-së pati zhvilluar edhe një protestë te zyret e EULEX-it kundër bastisjeve të tilla.

Lajme të ngjashme