NATO rrëzon dronë rusë në hapësirën ajrore të Polonisë, duke akuzuar Moskën për sjellje "absolutisht të pakujdesshme"
Avionët luftarakë të NATO-s rrëzuan disa dronë rusë që shkelën hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi ndaj Ukrainës fqinje herët të mërkurën, teksa aleanca ushtarake e dënoi Moskën për sjellje “absolutisht të rrezikshme” që e çoi tensionin në një nivel të ri.
Operacioni shënoi herën e parë që NATO ka hapur zjarr që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Zyrtarët thanë se avionët polakë dhe holandezë i interceptuan dronët, me ndihmën e forcave italiane, gjermane dhe trupave shumëkombëshe të NATO-s, raporton CNN.
Duke iu drejtuar parlamentit polak, kryeministri Donald Tusk tha se, ndonëse nuk ka arsye të thuhet se Polonia është në gjendje lufte, ajo është më afër një konflikti se kurrë më parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai shtoi se vendi po përballet me një “armik që nuk i fsheh synimet e tij armiqësore.”
Tusk njoftoi gjithashtu se Polonia ka thirrur nenin 4 të NATO-s, që nënkupton se organi kryesor vendimmarrës politik i aleancës do të mblidhet për të diskutuar situatën dhe hapat e ardhshëm.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se kishte kryer një sulm ndaj Ukrainës dhe se “asnjë objektiv në territorin e Polonisë nuk ishte planifikuar për t’u shkatërruar.”
Shefi i NATO-s, Mark Rutte, megjithatë, tha se shkelja e hapësirës ajrore polake nuk ishte një “incident i izoluar.”
I pyetur nga gazetarët nëse ky depërtim ishte i qëllimshëm, ai tha se, ndërsa vlerësimi i plotë është ende në proces, “qoftë me qëllim apo jo, është absolutisht i pakujdesshëm. Është absolutisht i rrezikshëm.”
Rutte theksoi se përgjigjja e aleancës ishte “shumë e suksesshme” dhe tregoi se NATO ishte e aftë dhe do të mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të saj.
Ai shtoi se operacionet më të gjera përfshinë avionë polakë F-16 dhe avionë holandezë F-35, një avion italian paralajmërimi të hershëm, sistemet gjermane Patriot dhe një avion furnizues të NATO-s.