"Nalnja mikrofonin": Tallje të shumta me ministren Gërvalla pas fjalëve tmerruese mbrëmë
Kosova vazhdon të gërvallet me kryediplomaten e saj, Donika Gërvalla Schwarz. Ajo së fundi e bëri një postim tjetër që pretendohet të jetë fyes për diplomacinë kosovare për shkak të huqjeve në një kontekst shumë serioz. Çka po i thonë Gërvallës?
Një lajm dje pasdite vuri në gjendje ankthi mbarë botën: raketa të prodhimit rus kishin rënë në Poloni – vend anëtar i NATO-s – duke i lënë të vdekur dy persona.
Për dallim nga bota, ankthi i kosovarëve ishte i dyfishtë: ata mund të ishin frikësuar jo vetëm nga eskalimi i situatës mes Rusisë e Perëndimit, por edhe nga eskalimi i ministres së tyre të jashtme. Historia e saj në Twitter me huqje të vazhdueshme u jepte arsye.
Dhe, frika u materializua në orën 21:21 të mbrëmjes. Gërvalla u gërvall në mënyrën e saj.
Ajo nuk hodhi në diskutim se hedhjen e raketës e kishte bërë Rusia. Në anën tjetër, kërkoi që BE-ja (me gjasë, ka dashur të thotë NATO) të veprojë edhe më me vendosmëri për të ndaluar Putinin “para se ai me proksit e tij të sillnin luftën në mbarë kontinentin.”
Gabimi I: BE-ja nuk kishte ushtri, përkundër që presidenti i Francës kishte përmendur mundësinë e një gjëje të tillë në të ardhmen. NATO ka.
Gabimi II: Edhe më tej, diplomacitë botërore kërkonin hetimin e plotë të rastit. Kjo u kërkua edhe nga ShBA. U kërkuar edhe nga kryeministri Kurti. Rusia nuk e kishte marrë përgjegjësinë deri në atë moment.
Gabimi III: Të thuash se “duhet vepruar edhe më me vendosmëri” kundër Rusisë nënkupton nëse nuk sqarohet si duhet se kërkon “Luftë të Tretë Botërore” – një mundësi të cilës mbrëmë po i frikësohej mbarë bota.
We mourn the loss of innocent Polish lives who have been killed by Russian rockets.
— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) November 15, 2022
Our thoughts are with the families, 🇽🇰 stands with 🇵🇱 against Putin's regime.
🇪🇺 has to act much more determined to stop Putin before he and his proxies bring war over the whole continent.
Reagimet
Reagimet ndaj këtij postimi të znj. Gërvalla ishin të shumta.
“Kish qenë mirë ministrja Gërvalla nja dy herë me u mbushë frymë e me numëru deri në 10 para se me shkrujtë tweet-a impulsivë dhe të papjekur që e nxisin BE-në (pse BE-në e jo NATO-n?) për ta thelluar luftën me Rusinë...” - tha mes tjerash analisti Agon Maliqi.
“Është e pafalshme që e para e diplomacisë tonë të jetë kaq jodiplomatike dhe tërësisht e pakujdesshme në reagimet e saj. Në një kohë kur të gjithë politikanët rezervohen në deklarime - që të mos ketë përshkallëzime - ministrja jonë e jashtme i hedh benzinë zjarrit.” – tha zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi.
Ndërkohë, Twitteri – platforma ku u postuan atë fjalë – ishte shumë më i ashpër me Gërvallën. Duhet të kujtojmë se Nacionale nuk ka publikuar postimet që përmbanin gjuhë seksiste apo shprehje të caktuara eksplicite.
“Bravo ministre, ti pa folë kurrë m*t s’e bon.” – tha Armir Behtullahu.
“Regjia, nalnja mikrofonin...” – ishte një tjetër reagim.
“Shefe e diplomacisë tipja!” – tha Enkelejdi.
“NATO left the chat,” – tha Endri Idrizaj. Kjo formulon talljen përmes idesë se është larguar NATO nga biseda në grup me znj. Gërvalla.
“Deaktivizoja dikush qët Twitter se horë na boni,” – tha ndërkohë një llogari tjetër.
“Jo BE-ja por UEFA duhet ta ndalojë Putinin...”


Për fat të mirë, ministres tonë të jashtme nuk i ka reaguar ndonjë shef shteti apo diplomat i huaj me përvojë.
