Na siguron Bislimi se s’ka rënie të raporteve Kosovë-ShBA: ‘Flas në bazë të asaj që thuhet në takime’
“S’flas unë në bazë të komenteve, por në bazë të asaj që thuhet në takime”.
Kështu e mohoi Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pyetjen e Zërit të Amerikës për rënien e raporteve mes Prishtinës dhe Uashingtonit, duke i vlerësuar si “komente” ato që janë artikuluar nga thuajse i tërë aparati shtetëror amerikan.
Kësisoji Bislimi la të kuptojë që tjetër gjë thuhet publikisht nga zyrtarë amerikanë, dhe, sipas tij, tjetër gjë “nëpër takime”.
Pyetja e gazetarës se “marrëdhëniet s’kanë qenë edhe aq të mira” për Bislimin s’përbënte të vërtetë.
- Bislimi: Unë nuk do të isha pajtuar me konstatimin se raportet me administratën e Presidentit Biden nuk kanë qenë të mira…
- ZiA: sipas komenteve të vetë zyrtarëve të administratës së zotit Biden.
- Bislimi: Unë nuk mund të flas në bazë komenteve. Mund të flas në bazë të asaj që është thënë nëpër takime.
Për më tepër, Bislimi tha se “brenda takimeve” Kosovës i njihet nga ShBA-ja “qëndrimi pro-amerikan” i Qeverisë së Kosovës dhe se kjo është konstatuar “në raste”.
“Ka pasur raste kur është konstatuar që qëndrimi pro-amerikan dokumentohet përmes promovimit të vlerave për të cilat qëndron Amerika, që kanë të bëjnë me rritjen e mirëqenies, luftimin e krimit dhe korrupsionit, politika këto të cilat qeveria Kurti i ka bërë më së miri”, ka thënë Bislimi.
Ky deflektim i Bislimit vjen në një kohë kur qeveria amerikane ka tash e dy vite që thuajse i ka të gdhendura në gurë shqetësimet dhe kritikat ndaj qeverisë kosovare.
Asistent Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien e pati thënë në mënyrën më të paekuivoke se po qe se Qeveria e Kosovës nuk do ta konsiderojë ShBA-në partnere; atëherë e njëjta gjë do të reciprokohet nga ShBA-ja.
Më e fundit që e shpaloi gravitetin e situatës së raporteve të rënduara Kosovë-ShBA ishte nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila qeverisë kosovare iu drejtua me fjalët se po luan “bixhozë me aleatë”.
“Aleancat janë këtu për na të na mbrojtur, prandaj vënia në rrezik e tyre, lutja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë. Shihni deklaratat e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se si çdo sfidë angazhohen ta kalojnë me aleatë, sepse nuk mund të ia dalin vetëm”, pati thënë Osmani.
“Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar, as talljet që bëhen në llogari të aleatëve, as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimin i emrit të tyre për të fituar pushtet. Asnjë njëra e as tjera nuk i bën nder Kosovës. Përkundrazi, duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleatëve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t`i çoi interesat e Kosovës përpara”, pati thënë ajo Osmani.
Në vizitën e tij të fundit në rajon para një muaji, Jim O’Brien u mëshoi toneve alarmante se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti “më shumë janë të interesuar të demonstrojnë pushtet se sa t’u shërbejnë qytetarëve të vet”.
“Sa për atë nëse gjërat janë të koordinuara ose jo, unë veçse publikisht kam thënë që sjellja e qeverisë në Prishtinë – ato (veprimet) nuk po koordinohen me neve partnerët, e as me NATO-n”, pati thënë Jim O’Brien.
“Rrjedhimisht, dyshimi ngritet që kjo qeveri (e Kosovës) është më shumë e interesuar të demonstrojë fuqi se sa të lejojë jetë të përditshme normale për komunitetet loale dhe popullin e vet”, tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit.
Por e tëra kjo, vazhdoi O’Brien, ka pasoja: më së theksueshmi përmendi Këshillin e Evropës.
“Por, për këtë ka pasoja, dhe më e madhja ishte që shtete të mëdha evropiane nuk e lanë Kosovën të anëtarësohej në Këshill të Evropës. Dhe krejt kjo për shkak se nuk ka koordinim”, ka thënë O’Brien.