Mysafiri i paparalajmëruar: Pse i ka shpeshtuar Lajçak vizitat në Kosovë?
Herëve të kaluara, dihej ditë më parë për vizitat e emisarit evropian për dialogun, Mirsolav Lajçak. Por të enjten, si mysafir i paparalajmëruar, ai erdhi në Kosovë, gjë që e detyroi kryeministrin Kurti ‘të ikë’ nga seanca e Kuvendit.
Për herë të dytë, brenda 10 ditëve, emisari Lajçak vizitoi sot Kosovën. Ky i fundit, zhvilloi takime me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.
Me të parin, Lajçak tha se e vazhdoi bisedën e javës së kaluar në lidhje me dialogun, ndërsa me zëvendëskryeministrin, bisedoi për lirinë e lëvizjes dhe çështjen e energjisë.

Mobilizim për ta arritur marrëveshjen finale?
Profesori i Shkencave Politike, Dritëro Arifi i tha Nacionales se kohëve të fundit, ka pasur më shumë vizita nga Lajçak dhe se po përgatiten dy çështje – targat dhe marrëveshja finale.
“Po, kohëve të fundit ka pasë shumë vizita nga Lajçak. Një ka qenë me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, dhe ajo më e rëndësishmja, e fundit, rikyqja e Francës dhe Gjermanisë me këshilltarët e presidentit francez e kancelarit gjerman. Kjo po tregon një seriozitet dhe zotim të fuqishëm që dialog duhet të ketë epilog final dhe nuk mund të vazhdojë kështu më gjatë. Po përgatiten dy tema, për targat ilegale, që të zgjidhet më shpejt, dhe normalisht, marrëveshja finale.” - ka thënë ai.
Ai ka thënë se duke parë edhe gjuhën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, shihet se nuk dëshiron ta arrijë marrëveshjen finale me njohje reciproke.
“Gjuha e presidentit serb është acaruar shumë sepse ai nuk dëshiron ta përfundojë marrëveshjen asnjëherë. Gjuha e tij ka pasë dy mesazhe, luftënxitëse, dhe për ta frikësuar Evropën që edhe nëse ka marrëveshje finale, mos t’i kërkohet njohja direkte, por një partneritet pa njohje. Pra Serbia e normalizon raportin, por pa e njohur Kosovën ligjërisht.”- tha profesori Arifi.
Tutje, për Nacionalen ai shtoi se angazhimi i SHBA-së dhe BE-së ka dhënë sinjale për fuqizim të dialogut, por se marrëveshja finale nuk arrihet pa unifikim të disa vende brenda bllokut.
“SHBA-të kanë angazhim, edhe BE-ja, kjo po jep sinjale të fuqizimit të dialogut. Problemi është te BE-ja, as te Serbia, BE-ja e ka këtë problem nuk e ka një zë për Kosovën, nuk besoj që mund të ketë marrëveshje finale të pakten brenda këtij viti kalendarik, deri të sqarohen shumë gjëra edhe brenda BE-së, dhe mandej të shohim si do të veprojë në raport me dialogun dhe se çfarë kushte do të kërkojë. Pa u rregulluar unifikimi benda BE-së, nuk besoj që do të ketë marrëveshje finale të imponuar.” - tha ai.
Pak detaje…
Pavarësisht këtyre vizitave të shumta, ka shumë pak detaje si nga BE-ja, ashtu edhe nga Qeveria e Kosovës se çfarë po diskutohet në këto takime.
Në lidhje me vizitën e sotme të Lajçakut, Bashkimi Evropian i tha Nacionales se kjo është “puna e tij”. Megjithatë, zëdhënësi Petet Stano nk dha më shumë detaje, por theksoi se edhe sot, qëllimi i vizitës ishte dialogu Kosovë-Serbi.
“Është pjesë e punës së Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak për të udhëtuar e për t’u takuar me partnerët në rajon... Ne jodomosdo lajmërojmë apo komentojmë çdo takim pune apo çdo ndërveprim të tij me partnerët në rajon. Këto vizita pune, ashtu si ai në Kosovë sot, zënë vend në kontekstin e çuarjes përpara të procesit të dialogut, dhe vazhdimit të diskutimeve mbi raportet normalizuese gjithëpërfshirëse dhe mbi temat aktuale të lidhura me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” – i tha Stano, Nacionales.
As vetë emisari Lajçak nuk foli shumë pas takimit të sotëm me Kurtin, derisa tha se po bëhen përgatitjet për takimin e radhës Kurti-Vuçiq.
Nuk dihet nëse ai, ka shkuar edhe në Serbi, ashtu siç erdhi në Kosovë në mënyrë të paparalajmëruar.
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës pëmes një komunikate për media, tha se në takim u potencua gatishmëria e Kosovëës për dialog, qëllimi i të cilit duhet të jetë njohja mes dy vendeve.


