Merr fund takimi i befasishëm i Kurtit me Lajçakun, BE flet për ardhjen e tij "të fshehtë"
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka zhvilluar një takim të paparalajmëruar me emisarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Ardhja e tij në Kosovë ishte krejtësisht e befasishme, dhe duket se qëndron prapa fjalosjes së sotme në Kuvend mes Kurtit dhe kryekuvendarit Konjfuca. Çka dimë deri tash?
Emërimi i emisarëve për dialogun nga Gjermania dhe Franca, dhe përfshirja në dukje më direkte e ShBA-ve në proces, ka dinamizuar edhe diplomatin sllovak të cilit iu vazhdua kontrata edhe për 24 muaj në pozicionin e emisarit të Bashkimit Evropian.
Udhëtimet e tij drejt Prishtinës, por edhe drejt Beogradit, rëndom janë shumë të mediatizuara dhe komentuara por ky i fundit ishte i paparalajmëruara.
Nuk dihet nëse për këtë takim ishte i paralajmëruar Kurti, që ishte i pranishëm në Kuvendin e Kosovës dhe për të cilën seancë kishte përgatitur një fjalim të gjatë. Ai madje, u shfaq derisa fjalosej me kryekuvendarin Konjufca për ta shpejtuar diskutimin mbi çështjen e Grevës së Përgjithshme, në mënyrë që – si duket – të mbërrinte në kohë në takim me Lajçakun.
“Është pjesë e punës së Përfaqësuesit Special të BE-së Lajçak për të udhëtuar e për t’u takuar me partnerët në rajon... Ne jodomosdo lajmërojmë apo komentojmë çdo takim pune apo çdo ndërveprim të tij me partnerët në rajon. Këto vizita pune, ashtu si ai në Kosovë sot, zënë vend në kontekstin e çuarjes përpara të procesit të dialogut, dhe vazhdimit të diskutimeve mbi raportet normalizuese gjithëpërfshirëse dhe mbi temat aktuale të lidhura me dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” - thuhet në një përgjigje dhënë Nacionales nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ky i fundit pas takimit me Kurtin nuk ka thënë shumë. Ai u shpreh se ka diskutuar për vazhdimin e dialogut, dhe përgatitjet për takimin e radhës Kurti-Vuçiq.
Emisari Lajçak u shpreh se kishte mbetur i habitur kur kishte dëgjuar për “kornizë të re të dialogut” nga Vuçiqi, një paralajmërim i bërë të martën e kësaj jave në Asamblenë e Serbisë.
Gjatë ditës së djeshme, Kosovën e ka vizituar edhe emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Edhe ai zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, por përmbajtja e bisedës megjithatë nuk u zbulua për publikun.
Megjithatë, formalisht mësohet se është diskutuar edhe në lidhje me përgatitjet për samitin e Procesit të Berlinit – një alternativë e mbështetur fuqishëm nga Qeveria Kurti si arsye për të mos marrë pjesë në iniciativën e Ballkanit të Hapur.

Vlen të theksohet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është deklaruar për media pas përfundimit të takimit me Lajçakun.

