Mustafi: Nuk mund të arrihet normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, duke mos e trajtuar Luginën
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi ka folur rreth një deklaratë të nënshkruar nga përfaqësuesit shqiptar të Luginës së Preshevës, në të cilën përfshihen disa kërkesa drejt ndërkombëtarëve.
Mustafi ka deklaruar se në këtë deklaratë kërkohet përfshirja zyrtare e Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
“Kjo nuk është një kërkesë e re, megjithatë është e nënshkruar nga të gjithë përfaqësuesit institucional dhe politik që kërkojnë përfshirjen zyrtare dhe substanciale të Luginës së Preshevës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ndër të tjera kërkohet realizimi i të drejtave kolektive të shqiptarëve, sipas standardeve më të larta të Bashkimit Evropian, kërkohet që çështja e Luginës së Preshevës të merr adresimin në dialogun Kosovë-Serbi.” – ka thënë ai për Klan Kosova.
Mustafi ndër të tjera ka deklaruar se nuk mund të arrihet një normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, duke mos e trajtuar Luginën e Preshevës.
“Nuk mund të arrihet një normalizim mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke mos e trajtuar Luginën e Preshevës, sepse normalizimi i këtyre marrëdhënieve për të arritur një paqe të qëndrueshme kalon përmes Luginës së Preshevës. Andaj pavarësisht se çka ndodh dhe si ndodh, ajo që është me rëndësi, që parimet, standardet, rregullimet juridike që mund të jenë për komunitetin serb të jenë të vlefshme, të aplikueshme e të impelementueshme edhe për komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës.” – ka thënë Mustafi ndër të tjera.
