Raporti i Bankës Botërore, Murati përvish mëngët ta relativizojë: Ka rritje të punësimit
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka vazhduar me prezantimin e numrit të punësuarve dhe shkallën e papunësisë në Kosovë, teksa ka përmendur edhe raportin e Bankës Botërore i cili sipas tij u “keqpërdor nga mediat e afërta me opozitën”. Por çka thotë raporti i Bankës Botërore dhe sa është papunësia në vend?
Ministri i Finanacave, Hekuran Murati ka thënë se gjatë Qeverisë Kurti 2 ka pasur rritje të numrit të punësuarve dhe ka rënë shkalla e papunësisë në vend. Krejt kjo për shkak të formalizimit të vendeve të punës e pak shtim vendeve të reja të punës.
“Si ka ecur numri i të punësuarve dhe shkalla e papunësisë nëpër vite? Ditë më parë ishim dëshmitarë se si media të afërta me opozitën tentuan të keqpërdorin një raport të Bankës Botërore, duke e keqcituar dhe duke pretenduar se raporti po demanton shifrat e Qeverisë. Por ku qëndron e vërteta sa u përket shifrave të punësimit dhe papunësisë?” – ka shkruar fillimisht ai në Facebook.
Më tej, ai ka thënë se “në fund të vitit 2023 kanë qenë 425 mijë të punësuar”, dhe se gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes janë shtuar 78,427 vende pune.
Tutje, Murati me mburrje ka thënë se edhe gjatë vitit zgjedhor ka pasur rritje të vendeve të punës, si shkak i masave të ndërmarra nga Qeveria Kurti.
Ndërsa, ai theksoi që ka rënë edhe niveli i papunësisë.
“Shkalla e papunësisë nga 25.9% sa ka qenë në vitin 2020, ka rënë në 10.9% në fund të vitit 2023. Kjo njëkohësisht shënon rënien më rapide të regjistruar ndonjëherë.” – ka shkruar ai.
Murati e përmendi edhe raportin e Bankës Botërore që sipas tij u keqpërdor nga mediat të cilat i quajti të afërta me opozitën.
Por çka thotë raporti i Bankës Botërore?
Sipas raporti të Bankës Botërore, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar në Kosovë.
“Në Kosovë, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Midis mesit të vitit 2023 dhe mesit të 2024, në rajon u krijuan 114,000 vende pune shtesë, nga të cilat Serbia pa përparimet nominale më të mëdha (48,400), e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (39,000).” – thuhet në raport.
Tjetër statistikë shqetësuese e publikimit është raporti i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës.
“Raporti më i ulët i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës vërehet në Kosovë, vetëm 42.7 për qind.” – thuhet në raport.
Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), tregojnë që papunësia në Kosovë del të jetë 10,7 për qind.
Sipas shifrave të ASK-së të publikuar këtë e vit e që janë të vitit 2023, tregojnë se shkalla e papunësisë është 10,7 për qind.
Ndërsa, shkalla e punësimit ishte 37,8 për qind apo sipas ASK-së, 3,8 për qind më e lartë sesa në periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Në rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tre mujorin e katër të vitit 2023, thuhet se rreth 1 milionë e 174 mijë janë popullsi në moshë pune.
Nga këta, del që persona të punësuar në Kosovë janë 444 mijë e 186 persona, sipas ASK-së, 45 mijë e 252 persona më shumë se në në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Ndërsa, persona të papunësuar ishin 53 mijë apo 299 më pak se periudha e njëjtë me vitin e kaluar.
Por ajo që duhet të theksohet, është se kemi rreth 677 mijë persona që janë joaktivë, që do të thotë se nuk janë deklaruar që punojnë apo nuk janë të përfshirë në tregun e punës, e as nuk kërkojnë punë, e as nuk janë lajmëruar si të pa punë.
Kujtojmë se papunësia mbetet një ndër problemet më të mëdha të kosovarëve sipas matjeve të opinionit publik nga organizata të huaja e vendore.