Banka Botërore ‘ia hap sytë’ Qeverisë: Vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar - NACIONALE

Banka Botërore ‘ia hap sytë’ Qeverisë: Vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar

1 vit më parë

nga Flakon Demaku

Në kulmin e pretendimeve të pushtetit për progres të paprecedentë të Kosovës në shtim të vendeve të punës dhe prosperitet ekonomik, një raport i fundit i Bankës Botërore shpërfaqi një tablo të zymtë të realitetit objektiv me shifra që – përkthyer në projeksione afatshkurtra – tregojnë se fenomeni i migrimit masiv të fuqisë punëtore të vendit, ka të ngjarë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sipas raporti, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

“Në Kosovë, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Midis mesit të vitit 2023 dhe mesit të 2024, në rajon u krijuan 114,000 vende pune shtesë, nga të cilat Serbia pa përparimet nominale më të mëdha (48,400), e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (39,000).” – thuhet në raport.

Tjetër statistikë shqetësuese e publikimit është raporti i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës. “Raporti më i ulët i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës vërehet në Kosovë, vetëm 42.7 për qind.” – thuhet në raport.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova dhe Serbia rezulton të kenë përjetuar rënien më të madhe të popullsisë në moshë punë, me raportin që identifikon faktorë si migrimin dhe plakjen e popullsisë.

“Dinamika e shkallës së pjesëmarrjes reflekton pjesërisht një rënie të popullsisë në moshë pune prej rreth 45,200 për rajonin e BB6 në tërësi, ku pjesa më e madhe e rënies është vërejtur në Kosovë dhe Serbi, përkatësisht me 23,700 dhe 26,700. Kjo reflekton si plakjen e popullsisë ashtu edhe daljet e migrimit (në Kosovë kjo u udhëhoq nga liberalizimi i vizave dhe lejimi më i relaksuar i punës në disa vende të BE-së, veçanërisht në Gjermani).” – thuhet në raport.

Statistika e Bankës Botërore përplasin portretizimet optimiste të pushtetit aktual me punësimin që vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të Kosovës.

Sfidat e qytetarëve për të gjetur punës kanë reflektuar në ikjen e fuqisë punëtore drejt vendeve me mundësi më të mëdha.

Sipas një tjetër raporti të Bankës Botërore, tkurrja popullsisë në moshë pune ka të ngjarë t'i atribuohet migrimit.

“Vetëm 39 për qind e popullsisë në moshë pune ishte aktive në tregun e punës (22 për qind për gratë) gjatë vitit 2022. Popullsia në moshë pune u tkurr në vitin 2022, me gjasë për shkak të migrimit të jashtëm”, thekson raporti.

Në raport më tej theksohet se një rritja e mëtejshme e migrimit të jashtëm do të paraqiste rreziqe serioze. "Një rritje e mëtejshme e migrimit të jashtëm mund të ndikojë negativisht në ofertën dhe koston e punës", thuhet aty.

Lajme të ngjashme