Mungesa e vëzhguesve të BE-së për zgjedhjet: Presidenca flet për kohë të shkurtër, por ata vinin edhe në zgjedhje të parakohshme
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas lajmit të publikuar në gazetën Nacionale se BE-ja ka injoruar kërkesën e saj për dërgimin e një misioni vëzhgues nga Brukseli për zgjedhjet e 7 qershorit.
Raportimi i Nacionales është i mbështetur në të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ pas akreditimit të vëzhguesve më 29 maj dhe 2 qershor, ku mungon emri i Misionit të BE-së.
Për herë të parë pas shumë procesesh zgjedhore, BE ka vendosur të mos dërgojë monitorues të zgjedhjeve, pavarësisht ftesës zyrtare nga UD Presidentja, Albulena Haxhiu.
Në reagimin e presidencës, pas raportimit të Nacionales, thuhet se BE ka deklaruar se për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve, nuk është i mundur dërgimi i një misioni, por se po shqyrtohet dhe koordinohet një prani ndërkombëtare përmes Zyrës së BE-së dhe shteteve anëtare.
“Prandaj, paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së u.d. Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Por, situata në të kaluarën paraqitet krejt ndryshe. Pavarësisht se të gjitha proceset zgjedhore parlamentare nga viti 2014 dhe deri në vitin 2021 ishin të jashtëzakonshme, Bashkimi Evropian gjithmonë kishte dërguar Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ).
Nacionale, ka gjetur me lehtësi raportimet dhe komunikatat zyrtare ndër vite ku është raportuar për ardhjen e vëzhguesve nga BE. Të gjitha këto zgjedhje ishin të jashtëzakonshme dhe organizoheshin brenda afatit të njëjtë kushtetues, sikurse zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
2014 - BE dërgon mision vëzhgues për 8 qershorin
Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të jashtëzakonshme dhe organizoheshin në periudhë më të shkurtër se zgjedhjet e 7 qershorit 2026, Bashkimi Evropian me shpejtësi kishte formuar Misionin për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Lajmi për këtë i ishte kumtuar presidentes së asaj kohe, Atifete Jahjagës.
Në njoftimin e asaj kohe thuhej se "presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur sot në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili e ka njoftuar atë me vendimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Catherine Ashton, për të dërguar mision vëzhgues të BE-së për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare".
Vendimi i baroneshës Ashton vjen si përgjigje në letrën e dërguar nga presidentja me kërkesën që BE-ja të monitorojë zgjedhjet e 8 qershorit, me qëllim të sigurimit të një procesi demokratik dhe korrekt zgjedhor.
“Zotëri Zbogar e njoftoi presidenten se në përgjigjen e zonjës Ashton theksohet se një mision i BE-së, i ngjashëm me misionin e vëzhguesve që ka përcjellë zgjedhjet komunale të vitit të kaluar, do të dërgohet në Kosovë për të vëzhguar procesin zgjedhor”, thuhej në njoftimin e Presidencës.

2017 - BE në përgjigje të ftesës së Thaçit
Edhe në vitin 2017 zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës ishin të parakohshme. Por, pavarësisht kohës së shkurtër, BE i ishte përgjigjur me shpejtësi ftesës së Presidentit Thaçi për dërgimin e monitoruesve.
Kjo konfirmohet në raportin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga BE.
"Me ftesën e Presidentit të Kosovës të datës 11 maj 2017, BE e dërgoi një Mision Vëzhgues të Zgjedhjeve (MVZ nga BE) më 19 maj për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të datës 11 qershor 2017. MVZ nga BE e drejtoi z. Alojz Peterle, deputet i Parlamentit Evropian (MEP) dhe ish-kryeministër i Republikës së Sllovenisë. Misioni përbëhej nga një ekip kryesor prej tetë analistësh, 16 vëzhgues afatgjatë (LTO) të cilët ishin të pranishëm nga data 25 maj, dhe 32 vëzhgues afatshkurtër (STO) të cilët ishin të pranishëm nga data 6 deri më 14 qershor. Përveç kësaj, Misionit iu bashkuan 40 vëzhgues afatshkurtër të angazhuar në vend (LSTO) dhe një delegacion nga Parlamenti Evropian i kryesuar nga euro-deputeti Igor Šoltes nga Sllovenia", thuhet në pjesën hyrëse të raportit të vëzhguesve të BE-së.

2019 - BE i përgjigjej për herë të dytë ftesës së presidentit Thaçi, dërgoi mision vëzhgues
Në vitin 2019, Bshkimi Evropian i ishte përgjigjur ftesës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur më 6 tetor.
Në përgjigjen asokohe të Bashkimit Evropian thuhej se BE ka vendosur që të dërgoj në mision për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini e kishte emëruar Viola von Cramon-Taubadel si Krye-vëzhguese të zgjedhjeve.
“Kosova mbetet një përparësi politike për Bashkimin Evropian dhe vendosja e një Misioni Vëzhgues Zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, konfirmon angazhimin tonë të vazhdueshëm për të mbështetur proceset demokratike në Kosovë. Kam besim se vendosja e Misionit Vëzhgues nga BE-ja nën udhëheqjen e Viola von Cramon-Taubadel do të kontribuojë në zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe transpartene. Të gjithë palët e interesuara dhe komunitetet duhet të jenë në gjendje të përfshihen në këtë proces dhe të kenë fjalën e tyre në të ardhmen e Kosovës. Këto zgjedhje vijnë në një pikë të rëndësishme për Kosovën ku ajo duhet të lëvizë me vendosmëri për të bërë përparim në rrugën e saj evropiane, në reforma dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, deklaronte Mogherini.

2021 - BE me Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve
Ndoënse zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit 2021 u mbajtën në kohë të pandemisë COVID-19, Bashkimi Evropian kishte treguar interes për zgjedhjet e reja.
BE kishte dërguar Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (MEZ) të cilët kishin përgatitur raport zyrtar të vlerësimit të atyre zgjedhjeve. Raporti është publik dhe i qasshëm në faqen e BE-së.

"Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit 2020, ushtruesja e detyrës së presidentes shpërndau kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt 2021. BE dërgoi një Mision të Ekspertëve të Zgjedhjeve (MEZ) të përbërë nga tre ekspertë të cilët mbërritën në Kosovë më 21 janar. Qëllimi i MEZ-së ishte mbledhja dhe analizimi i informacionit faktik, vlerësimi dhe raportimi për procesin zgjedhor kundrejt zotimeve, standardeve dhe praktikave të mira ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Misioni gjithashtu formuloi rekomandime për të përmirësuar proceset e ardhshme zgjedhore dhe vlerësoi gjendjen e zbatimit të rekomandimeve të bëra nga misionet e mëparshme. Para këtyre zgjedhjeve, BE dërgoi Misionin e Vëzhgimit të Zgjedhjeve në zgjedhjet në Kosovë në vitin 2013 (zgjedhjet komunale), 2014 (zgjedhjet parlamentare), 2017 (zgjedhjet komunale dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare) dhe 2019 (zgjedhjet e parakohshme parlamentare)", thuhet në raport.