“Mund të paguajmë çmim të madh”: Hasani zbërthen lojën e rrezikshme me “nacionalizma primitivë” me Srpska-n
Skenari i stërpërsëritur në KQZ me moscertifikimin e Listës Serbe është cilësuar si një "taktikë primitive e lexueshme lehtë" nga ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili paralajmëroi pasoja fatale për shtetësinë e Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatët strategjikë.
Në një veprim tashmë lehtë të parashikueshëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën refuzoi njohjen e rezultateve për kandidatët e Listës Serbe, duke ricikluar absurditetin e kthimit mbrapsht të vendimit nga PZAP dhe ricertifikimit nga të njëjtit njerëz. Për reagoi madje edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, duke e ripërsëritur se sjellje të tilla “gërryejnë partneritetin.”
Ndë dritën e këtyre manovrave tashmë të njohura të pushtetit, profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ngreu alarmin për një rrezik shumë më të thellë. Në një intervistë për "DPT me Fidan Jupollin", Hasani ka dekonstruktuar strategjinë e partisë në pushtet, duke e cilësuar atë si një lojë me zjarrin që buron nga mosvetëdijesimi për dëmin real që po i shkaktohet vendit.
"Pse unë jam i bindur që për dëmin ose zararin që i shkaktohet Kosovës nuk janë të vetëdijshëm? Sepse kam përshtypjen që këta vendimmarrës... mendojnë që me një radikalizim të kontrolluar mund të sjellin përfitime," tha Hasani.
Hasani e quai këtë qasje një "lojë të një nacionalizmi primitiv të dukshëm e të lexueshëm lehtë," të cilën pushteti shpreson ta konvertojë në kapital politik përballë Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve.
"Ju e shihni tash çështja e veriut është mbyllur, s’luhet më me letrën e veriut dhe as nuk duhet të luhet. Problemi është që nuk janë të vetëdijshëm sepse besojnë që një lojë e një nacionalizmi primitiv të dukshëm, të lexueshëm lehtë, mund të sjellë përfitime të caktuara politike të, ta zëmë, çështjeve të ndryshme të politikës së brendshme dhe të jashtme që varet prej Bashkimit Evropian dhe ShBA-së." - tha ai.
Duke përdorur një metaforë popullore për të ilustruar përfitimin e çastit dhe dëmit afatgjatë, Hasani tha se të njëjtit "po e kruajnë vetullën, por mund t’ia nxjerrin sytë Kosovës."
"Unë mendoj që ky lexim është tërësisht i gabuar dhe i rrezikshëm. Po e kruajnë vetullën por mund t’ia nxjerrin sytë Kosovës. Këta duhet me ditë që për me fillu të gjithë me luajtë të njëjtën letër të nacionalizmit populist, atëherë prishet sistemi i krijuar dhe hyjmë në një fazë tjetër të cilën duhet secili me e ditë." - shtoi ai.
Ai paralajmëron se tallja me rendin kushtetues dhe Kushtetutën e Kosovës mund t'i shtyjë partnerët strategjikë drejt një qasjeje cinike të "Realpolitikës".
"Në qoftë se ne me një politikë të caktume i vendosim cilindo prej aleatëve, BE-në ose ShBA-në… në qoftë se shkohet me këtë logjikë deri në një ekstrem të caktuar, atëherë mund t’i vendosesh aleatët e deri djeshëm në pozitë me thënë ‘po shkojmë krejt realpolitikë, ty po ta merr mendja që paske fuqi me u tallë me atë kushtetutë dhe rendin tënd kushtetues, atëherë ne po të lejojmë ty dhe hajde pastaj unë t’i tregoj disa rregulla tjera." - deklaroi profesori.